Rusia akuzon sërish SHBA-në

Rusia akuzon sërish SHBA-në

Rusia ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se në mënyrë të paligjshme po fuqizon forcat e saj në Poloni dhe në Baltik dhe se në heshtje ka stacionuar një divizion të tërë të blinduar, duke shkelur kështu marrëveshjen mes Moskës dhe NATO-s.

Ministria Ruse e Mbrojtjes njoftoi se shkelja e marrëveshjes ndodhi në kohën kur Rusia zhvilloi stërvitjet gjithëpërfshirëse ushtarake me emrin Perëndimi 2017, së bashku me ushtrinë e Bjellorusisë, manovra këto që u zhvilluan muajin e kaluar.

Sipas një zëdhënësi të ministrisë ruse të Mbrojtjes, sipas planit fillestar, ishte paraparë që forcat luftarake të ekipit të brigadës së tretë të blinduar të ushtrisë amerikane të tërhiqeshin nga Polonia dhe t’ia lenin pajisjet kolegeve të tyre nga brigada e dytë e blinduar e ushtrisë amerikane.

Në vend të kësaj, brigada e dytë në heshtje u stacionua në Poloni me pajisjet e veta të blinduara, ndërsa tanket dhe automjetet tjera të blinduara të brigadës së tretë nuk u tërhoqën.

Ky zyrtar tha se përkundër deklaratave të NATO-s dhe Uashingtonit se bëhet fjalë për një numër të parëndësishëm të forcave përgjatë kufijve me Rusin, në këto territore është stacionuar një divizion i mekanizuar dhe jo brigadë.

Sipas zyrtarëve rusë, Uashingtoni ka shfrytëzuar histerinë në Evropë për shkak të manovrave ruso-bjelloruse, për të stacionuar divizionin e vet të blinduar në Poloni./21Media