Thaçi: Ishim bashkë dhe në periudhën më të rëndë

Thaçi: Ishim bashkë dhe në periudhën më të rëndë

Presidenti Hashim Thaçi, fjalimin e tij në ceremoninë e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s, në Kosovë e filloi duke i falënderuar të gjithë të pranishmit që nderuan shtetin e Kosovës me ardhjen e tyre.

Presidenti uroi qytetarët duke u thënë se 12 Qershori i vitit 1999 është datëlindja e Kosovës. Ai tha se kjo datë i bashkoi të gjithë si qytetarë të Kosovës, shkruan rtv21.tv

Ashtu si jemi bashkë si kosovarë, amerikanë, italianë e gjermanë, ashtu ishim bashkë dhe në periudhën më të rëndë, errët dhe tragjike të historisë së re të Kosovës. Atëherë kur ishte rrezikuar mbijetesa e një populli, kur qytetarët ishin në gjendje të sakrifikojnë gjithçka për liri”, u shpreh ai.

Presidenti tha se sa të ketë jetë në këto anë, dhe Kosovë mbi këtë tokë, qytetarët e këtij vendi do t’ju jenë falënderues Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, Aleancës Atlantike dhe gjithë miqëve.

“Bota e qytetëruar e personifikuar me ShBA-të, Bashkimin Evropian dhe Aleancën Atlantike, ka qenë një hap i madh dhe i jashtëzakonshëm, një hap vendimtar për të shpëtuar një popull të tërë, për të mundësuar që e keqja të pësojë disfatë, dhe të gjithë neve të na mundësohet mundësia historike të ndërtojmë një të ardhme për ne dhe brezat e ardhshëm. Sa të ketë jetë dhe njerëz në këto anë, sa do të ketë Kosovë mbi këtë tokë, ne do të jemi falënderues për qëndrimin dhe mendimin tuaj njerëzor dhe qytetërues të pranverës së vitit 1999”, tha presidenti i Republikës së Kosovës, shkruan rtv21.tv

Sipas tij, kjo përkrahje ishte qëndrim i drejt dhe i ndershëm.

“Sot si president në emër të institucioneve dhe qytetarëve ju them me sinqeritet dhe përulësinë më të madhe, faleminderit, thank you”, përfundoi Thaçi./21Media