Ministria e Kulturës ka ndarë çmimet për teatër

Ministria e Kulturës ka ndarë çmimet për teatër

Aktori Sabedin Shahiqi është shpërblyer me çmimin kombëtar për vepër jetësore nga Ministria e Kulturës e Kosovës, në ndarjen e përvitshme të çmimeve për teatër nga ky institucion.

Ky çmim iu ndahet personaliteteve të shquara në fushën e teatrit për suksesin, të arriturat gjatë karrierës, risitë dhe kontributin për avancimin e teatrit.

Shahiqi nga viti 1971 e deri më sot ka luajtur mbi 90 role në teatër, film e televizion, ku shumica prej tyre ishin role bartëse. Ai gjithashtu ka luajtur në disa filma dhe ka bërë gjashtë regji teatrale. Me punën e tij të suksesshme ka marrë shumë shpërblime, diploma dhe mirënjohje në festivale të shumta prej nivelit komunal e deri të ai federativ në ish-Jogosllavi.

Pas marrjes së këtij çmimi, aktori Shahiqi ka falënderuar ministrinë për këtë vlerësim dhe u ka uruar suksese më të mëdha në fushën e kulturës.

“Shfrytëzoj rastin në këtë ceremoni të përshëndes të gjithë stafin e Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport, me në krye ministrin Kujtim Gashi. Me këtë rast, një përshëndetje të veçantë për jurinë dhe falënderim, që mua më zgjodhi të më ndajë çmimin e karrierës. Ju faleminderit ministrisë dhe suksese të ndritshme në kulturë dhe të shpërblyerve ju dëshiroj suksese edhe më të mëdha”, ka deklaruar Shahiqi.

Në ceremoninë që është organizuar në Ditën Botërore të Teatrit, Ministria e Kulturës ka ndarë edhe 4 çmime të tjera.

Çmimi vjetor për prezantimin më të suksesshëm ndërkombëtar iu ka dhënë Shtëpisë Teatrore Filmike “Akt”, pasi në vitin 2018 me arsyetimin se kjo shtëpi filmike ka realizuar 8 prezantime ndërkombëtare në festivale prestigjioze.

Çmimi vjetor për aktorin më të mirë iu është ndarë Mentor Zymberajt, për rolin e “Hamletit” në shfaqjen “Ëndrra e Hamletit”. Roli i tij në këtë shfaqje është vlerësuar lartë. Po ashtu, me këtë rol Zymberaj është treguar i suksesshëm dhe autentik me artin e tij, si në skenat vendore ashtu edhe ato ndërkombëtare.

Çmimi për regjinë më të mirë i ka takuar Bekim Lumit, çmim ky qe jepet pas vdekjes, për shfaqjen “Arturo Ui”. Me këtë shfaqje, është thënë se Lumi ka bërë regji të nivelit të lartë, ka dëshmuar profesionalizëm dhe inovacion duke e sjellë atë para publikut në mënyrë mjeshtërore. Çmimi është pranuar nga e ëma e regjisorit të ndjerë.

Shfaqja “Arturo Ui” e Teatrit të Kosovës është nderuar edhe me çmimin vjetor për shfaqjen më të mirë të vitit. Kjo shfaqje është vlerësuar si një vepër e jashtëzakonshme që korrespondon me realitetin kosovar, ndërsa për të mund të thuhet se është edhe emblemë e teatrit modern kosovar.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi ka thënë se nuk dyshon në profesionalizimin e jurisë që ka përzgjedhur fituesit, ndërsa ka falënderuar të gjithë laureatët për arritjet gjatë jetës së tyre, respektivisht gjatë vitit të kaluar.

“Ajo që mua më mbetet si ministër i Kulturës, si ministri apo edhe Qeveri e Kosovës, është që t’ju falënderojmë dhe të vlerësojmë për arritjet gjatë vitit 2018 dhe në të njëjtën kohë t’ju inkurajojmë që angazhimi juaj të vazhdojë edhe më tutje. Jemi me fat edhe si shtet, edhe si popull, që kemi kaq shumë krijues e artistë të cilët me punën e tyre po na promovojnë shtetin tonë dhe në të njëjtën kohë po na bëjnë krenar”, ka deklaruar ministri Gashi.

Ministria e Kulturës është duke i ndarë të gjitha çmimet për të gjitha kategoritë që janë pjesë e kulturës dhe trashëgimisë, si shenjë vlerësimi për punën e të gjithë krijuesve.