Ish- eprori i UÇK-së, Sabit Geci është vetë dorëzuar në Sherbimin Korrektues të Dubravës

Ish- eprori i UÇK-së, Sabit Geci është vetë dorëzuar në Sherbimin Korrektues të Dubravës

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe avokati i Sabit Gecit, Haxhi Millaku.

“Po mbrëmë është rikthyer në Kosovë. Përkundër gjendjes së tij të rëndë shëndetësore për të cilën janë të informuara të gjitha organet përgjegjëse, aktualisht ai për shkak të gjendjes së rënduar është në spital sepse mbrëmë rrugës deri sa po transportohej për në Dubravë i është përkeqësuar gjendja”, tha Millaku.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të arrestojë ish-eprorin e UÇK-së, Sabit Gecin, i cili është i dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile dhe për armëmbajtje pa leje.

Gjykata e Apelit e kishte aprovuar më 2.11.2018 ankesën e avokatit të Sabit Gecit, i cili kishte kërkuar pezullimin e përkohshëm të ekzekutimit të dënimit me burg në kohëzgjatje prej 6 muajsh nga dita e lirimit nga Burgu i Dubravës.

Qendra Korrektuese në Dubravë e ka pranuar në të njëjtën ditë vendimin e Apelit dhe të njëjtën ditë e kishte liruar të dënuarin.

Sipas aktvendimit, Sabit Geci ka pasur të lajmërohet në mbajtje të dënimit në Dubravë më 2 maj 2019.

Por, për shkak se i njëjti nuk është lajmëruar në datën e caktuar, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka kërkuar nga Policia e Kosovës ta arrestojë Sabit Gecin dhe ta sjellë në burg.

Fletë rreshtimi është lëshuar më 3 maj 2019, pasi që i dënuari nuk është hasur në shtëpinë e tij në Prishtinë./KALLXO/