Dënimi do të konvertohet në 3 vite shërbim prove

Dënimi do të konvertohet në 3 vite shërbim prove

Saimir Tahiri i shpëton burgut. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dënoi me 5 vite burg ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, dënim i cili do të konvertohet në 3 vite shërbim prove. Gjithashtu për 5 vite nuk do të ushtrojë asnjë funksion publik.

Trupi gjykues lexoi vendimin rreth orës 22:00, kur doli nga dhoma e vendimmarrjes ku ishte mbledhur prej mesditës së sotme.

Tahiri është shpallur fajtor vetëm për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, ndërsa ka rënë akuza për “trafik droge” dhe “grup i strukturuar kriminal”.

Ai përfiton nga gjykimi i shkurtuar.

Trupi gjykues përbëhej nga Ardit Mustafaj, Flora Hajradinaj dhe një gjyqtare e tretë.

Në një prononcim  pas vendimit, Tahiri deklaroi: 

“Gjykata më tha se nuk jam kriminel, nuk jam trafikant por meqë disa kushërinj të mi kanë përdorur emrin tim kam shpërdoruar detyrën. As nuk qesh dot, as nuk qaj dot. Nesër do ju ftoj të ndajmë bashkë ca mendime”.

Tahiri paralajmëroi se do të apelojë vendimin.

Sigurisht që do ta apeloj. Një vendim qesharak. Do të ishte shumë më fisnike ta kishin bërë si burrat dhe të më dënonin për trafik. Isha më i qartë kur hyra se sa tani kur dola. Më duhet ta kuptoj të gjithën. Është si të shkosh në një provim, mësuesja të thotë që ke mësuar shumë mirë por hajt po të vë një 5″.

Ndërkohë ish-drejtori i policisë së Vlorës, Jaled Çela, është dënuar me 3.4 vjet burg.

Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte kërkuar 12 vjet burg për Tahirin dhe me uljen e 1/3 së dënimit nga gjykimi i shkurtuar ai duhet të bënte 8 vjet burg nëse gjykata do të pranonte kërkesën.

Tahiri deklaroi se do të apelojë vendimin./oranews