Filmi kosovar është përzgjedhur nga 6500 aplikime

Filmi kosovar është përzgjedhur nga 6500 aplikime

Filmi i metrazhit të shkurtër, “Salloni” do të ketë premierën botërore në edicionin e 37-të të “Rhode Island International Film Festival” (RIIFF).

“RIFF” është festival kualifikues për “Oscar” në tri kategori, BAFTA dhe Canadian Screen Awards, i cili do të mbahet nga 6-11 gusht, përcjell rtv21.tv.

Filmi “Salloni” është pjesë e garës “Narrative Shorts” që është përzgjedhur nga 6500 aplikime.

“Salloni” është një film i shkurtër, 14 minuta, i cili trajton një temë sociale në Kosovë nëpërmjet komedisë së zezë. Tek sa një nuse është duke u rregulluar për natën e dasmës në një sallon bukurie, familja dhe vjehrra e saj janë duke diskutuar për një vrasje të mbrëmshme ku një grua vrau burrin e saj. Ato kanë variante konfliktuoze të rrëfimit, por një gjë është e qartë, një grua e vrau burrin e vet. Cilat janë motivet dhe arsyet e saj, dhe çka në fakt ndodhi, mbetet të zbulohet.

Ky film vë në dy pozicione një martesë me rezultate fatale dhe ditën e dasmës së një vajzë që ka ardhur të rregullohet në një sallon bukurie.

Në këtë film luajnë aktorët: Armond Morina, Irena Cahani, Xhejlane Tërbunja, May-Linda Kosumovic, Anisa Ismajli, Njomëza I. Fetiu, Bibi Qena, Sheqerie Buqaj, Marigona Pervetica, Lurni A Krasniqi dhe Jara Saqipi.

“Salloni” është film me regji dhe skenar të Zgjim Terziqit dhe ka producente Valmira Hysenin.

Filmi është mbështetur nga MKRS dhe Komuna e Prishtinës./21Media

Featured Image