Konferenca ishte e 14-ta me radhë e Presidentëve të EHF-së

Konferenca ishte e 14-ta me radhë e Presidentëve të EHF-së

Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini dhe nënpresidenti Enis Idrizi po qëndrojnë në Koln të Gjermanisë, ku është mbledhur elita evropiane e hendbollit.

Në kuadër të FINAL4 të EHF Ligës së Kampionëve është mbajtur Konferenca e Presidentëve të Federatave Nacionale, anëtare të EHF-së.

Konferenca ishte e 14-ta me radhë e Presidentëve të EHF-së, në të cilën morën pjesë 80 përfaqësues të 50 federatave anëtare të EHF-së, me ç’rast u diskutua për zhvillimet e fundit në sportin tonë.

Ndër të tjera, siç njofton FHK, u diskutua edhe për kalendarin e ri ndërkombëtar dhe për zgjerimin e evropianit të hendbollisteve në 24 skuadra, që nga viti 2024. Presidentët u informuan edhe për bashkëpunimet e reja komerciale të EHF-së dhe për planet e EHF-së.

Përveç tjerash, këtë ngjarje të rëndësishme presidenti Saraçini dhe nënpresidenti Idrizi e shfrytëzuan edhe për takime të shumta, ku u diskutua për zhvillimin e mëtejmë të hendbollit kosovar.

Saraçini e Idrizi do të ndjekin nga afër edhe ndeshjet e FINAL4 të Ligës së Kampionëve.

Sot dhe nesër do të mbahet turneu përfundimtar (FINAL4) i Ligës së Kampionëve për hendbollistë, në Köln të Gjermanisë.

Sot do të zhvillohen gjysëmfinalet e Ligës së Kampionëve për meshkuj. Nga ora 15:15 do të takohen Telekom Veszprem i Hungarisë – PGE Vive Kielce të Polonisë, e cila transmetohet direkt në RTV21Plus. Ndërsa, nga ora 18:00 do të takohen Barcelona Lassa e Spanjës dhe Vardari i Maqedonisë së Veriut, ndeshje kjo, që transmetohet po ashtu drejtpërdrejt në RTV21Plus. Ndërkaq, nesër nga ora 15:15 do të luhet ndeshja për vend të tretë, derisa finalja  e madhe me fillim nga ora 18:00. Këto dy ndeshje nesër do të transmetohen në RTV21.