Saraçini flet pas suksesit në garat IHF Trophy Intercontinental

Saraçini flet pas suksesit në garat IHF Trophy Intercontinental

Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, ka dhënë një intervistë të gjatë për faqen zyrtare të Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit (IHF), pas ngjarjes shumë të sukseshme, IHF Trophy Intercontinental, që javën e kaluar u zhvillua në Prishtinë.

IHF-ja ka shkruar se ishte një rast historik për Kosovën, pasi kombëtarja U21 ka fituar kampionatin IHF Trophy dhe kështu ka siguruar biletën e fundit për kampionatin botëror të juniorëve që zhvillohet në Spanjë në korrik. IHF-ja ka cekur që është hera e parë që Kosova është kualifikuar në botëorr në të gjitha sportet, në të gjitha nivelet, për meshkuj apo femra.

IHF.info: Kampionati ka përfunduar, nga ana organizative si ishte për ju?

Eugen Saraçini: Prej të gjitha informacioneve që kam marrë gjatë bisedave me mysafirët, udhëheqësit e ekipeve dhe lojtarët, organizimi është vlerësuar i mirë dhe të gjitha kërkesat janë plotësuar për këtë lloj kampionati. Jemi shumë të lumtur të dëgjojmë këtë nga mysafirët tanë, të dëgjojmë që ata janë të kënaqur.

IHF: Pse janë të rëndësishme këto gara për Kosovën? Cilat të mira i sjellin?

Saraçini: Hendbolli në Kosovës është themeluar 65 vite më parë, por është shumë me rëndësi për ne të kemi impakt tjetër, një rritje tjetër të interesimit për sportin tonë dhe një mënyrë për të bërë këtë është organizimi i ngjarjeve të nivelit ndërkombëtar. Të rinjtë tani e kanë mundësinë të bëjnë sport me kolegët e tyre nga vendet tjera nga e mbarë botë dhe kjo është shumë, shumë me rëndësi.

IHF: Ky ishte një kampionat interkontinental me ekipe nga mbarë bota. Çfarë ndjenje është të presësh botën në Prishtinë me të gjitha ndryshimet kulturore të vëna në pah?

Saraçini: FHK-ja ka organizuar Kampionatin e Parë të IHF-së për Vendet në Zhvillim, në vitin 2015, dhe më pas organizuam IHF Trophy për zonën e Evropës (2018\19), në tetor të vitit të kaluar. Më pas ne fituam mundësinë të organizojmë këtë ngjarje të fundit dhe është shumë, shumë me rëndësi që ishim organizatorë të suksesshëm, duke plotësuar të gjitha kriteret dhe duke u siguruar që të gjithë të jenë të lumtur.
Por kush është më i lumturi? Është e lehtë përgjigjja – të gjithë tifozët e hendbollit këtu, pavarësisht vendit prej nga vijnë.

IHF: Ngjarjet si kjo kërkojnë angazhim të madh për t’i organizuar. Na tregoni për përkrahjen që keni patur nga sponsorët, Qeveria, Federatat?

Saraçini: Absolutisht ju nuk mund të keni një ngjarje pa ta. Është shumë me rëndësi pasi pa përkrahjen e tyre ju nuk mund të arrini synimet për të organizuar ngjarjen në mënyrën më të mirë. Më duhet të them që para së gjithash aty është IHF-ja. IHF-ja ka përkrahur federatën tonë me të gjitha materialet e nevojshme. Financiarisht ka përkrahur të gjitha ekipet, duke paguar të gjitha shpenzimet për ardhjen e tyre – të gjitha biletat, biletat e aeroplanit, hotelet etj. Natyrisht ne kemi pasur edhe disa shpenzime tjera, por Qeveria jonë dhe sponsorët tanë na kanë përkrahur.

IHF: Një fjalë për njerëzit që punojnë në FHK dhe vullnetarët?

Saraçini: Vullnetarët janë shumë të rëndësishëm në një organizim të tillë. Pa ta nuk mund të bëni asgjë. Njerëzit këtu në Kosovë e duan hendbollin dhe për këtë ne kemi pasur shumë vullnetarë që na ndihmuan të arrijmë këtë sukses.

IHF: Kur shikoni prapa në turne, a ka ndonjë kujtim personal që do të dallonit?

Saraçini: Ngjarje si kjo i japin secilit mundësi të jetë pjesë e organizimit pavarësisht nëse janë vullnetarë, organizatorë, lojtarë, zyrtarë apo trajnerë. Janë ngjarje me rëndësi pasi secili bëhet mik me dikë, e njofton dikë të ri dhe më pas flasin për të ardhmen dhe bashkëpunimin eventual. Përshembull FHK-ja ka marrë një ftesë nga Taipei Kinez dhe hendbollin në plazh në nëntor, kështu që ne do të konsiderojmë atë dhe do të shohim nëse është e mundur. Ne kemi patur kontakt me SHBA-në që është mundësi e mirë për të dy palët për të qenë sërish bashkë këtu në Kosovë apo në SHBA. Pra gjenerata e re është bashkuar përmes sportit, përmes hendbollit dhe kjo është fantastike dhe njëra prej gjërave më të rëndësishme.

IHF: Java e kaluar ishte shumë e rëndësishme për hendbollin e meshkujve në Kosovë. Së pari dy ekipet e grumoshave të reja morën medalje e poashtu ekipi senior fitoi ndaj Izraelit në kualifikime për “Euro 2020”. E ardhmja duket e ndritur për hendbollin e meshkujve në vendin tuaj?

Saraçini: Absolutisht, ishte javë e shkëlqyeshme për ne. Mendoj se ky sukses do të jetë shtytje për ekipet që të punojnë edhe më shumë dhe të arrijnë rezultate edhe më të mira. Natyrisht do të ketë sërish sfida në kualifikime për Euro 2020 dhe në botërorin e juniorëve, por ne do të aranzhojmë më shumë ndeshje miqësore që do t’ua japim këtyre ekipeve mundësinë të kenë përvojë më të madhe dhe të shohin se çfarë hendbolli po luhet rreth tyre, në Evropë dhe botë.
Kjo është shumë e rëndësishme – kur unë isha më i ri kisha mundësinë të udhëtoja dhe të takoja njerëz të moshës time. Tani të rinjtë në Kosovë e kanë këtë mundësi përmes sportit dhe përmes këtij kampionati.

IHF: Cili është hapi i ardhshëm për hendbollin kosovar?

Saraçini: Do të fillojmë përgatitjet për kampionatin botëror të juniorëve, por kemi edhe detyra tjera poashtu. Kemi disa seminarë për trajnerë, gjyqtarë dhe do të vazhdojmë të zhvillojmë hendbollin e femrave, që është me shumë rëndësi. Do të fokusohemi në këto ngjarje që janë shumë të rëndësishme për ne si Federatë e Hendbollit dhe tani është koha të japim gjithë energjinë për të organizuar dhe plotësuar të gjitha nevojat e lojtarëve./21Media