Përfaqësues të MASHT, SBASHK dhe këshillit të prindërve diskutuan për orët e humbura

Përfaqësues të MASHT, SBASHK dhe këshillit të prindërve diskutuan për orët e humbura

Ministria e Arsimit dhe Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e Kosovës (SBASHK) janë afër marrëveshjes që të bëhet kompensimi i orëve. Pas takimit te sotëm ministri i arsimit Shyqiri Bytyqi, është zotuar që të tërheq vendimin për kompensimin e orëve dhe do të punohet për ndryshimin e koeficientit për mësimdhënësit e klasave 1 deri në 5, e nëse këto kërkesa realizohen atëherë SBASHK-u do të bëjë kompensimin e një jave të mësimit pas përfundimit të vitit shkollor.

Kryetari i komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi, ka treguar kërkesat e SBASHK-ut.

Dy kërkesat e SBASHK-ut tanimë janë të plotësuara, sepse ministria është e gatshme vendimin e marrë ta tërheq dhe të gjejnë një zgjidhje me SBASHK-un. Kërkesa e dytë, plotësimi i ligjit për paga sa i përket nivelizimit të pagave të mësimdhënësve nga klasa e parë deri në klasën e 5-të. Këto kanë qenë dy kërkesat e SBASHK-ut“, tha Kurteshi.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se si ministri janë të gatshëm të flasin për kompensimin e orëve.

Siç e kemi marrë vendimin e parë me një formulë e cila është paraqitur nga drejtorët e DKA, po të njëjtën mund ta tërheqim dhe të gjejmë një formë tjetër. Ne jemi të gatshëm të gjejmë zgjidhje dhe të mos dëmtohen nxënësit“, tha ai.

Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, tha se vetëm një javë do të kompensohet nëse përmbushen kërkesat e tyre.

Ministri u deklarua se do ta bëjë tërheqjen e vendimit për kompensim të orëve të humbura gjatë grevës. Njëkohësisht na u premtua se do të bëhet ndryshimi i koeficientit për mësimdhënësit 1-5. Në momentin kur realizohen këto kërkesa ne do t ftojmë këshillin drejtues dhe do të marrim vendim dhe do të bëhet kompensimi i një jave në fund të vitit mësimor“, tha ajo.

Mësimdhënësit, më 14 janar patën nisur grevën që zgjati tri javë, me kërkesën për rritjen e koeficientit të pagave për 30 për qind. Greva ishte ndërprerë pas marrëveshjes me institucionet përgjegjëse, se Ligji i ri për paga i cili është  miratuar në Kuvend në muajin shkurt do të përafrojë kërkesën e tyre.

Pas ndërprerjes së grevës, më 26 shkurt ministri i arsimit, Shyqiri Bytyqi kishte marrë vendim që orët e humbura mësimore të kompensohen, fillimisht me pesë ditë të marra nga pushimi pranveror që ka filluar nga e hëna (1 prill), pesë ditë të shtuna dhe pesë ditë të zgjatet përfundimi i vitit shkollor. Por, SBASHK-u  vazhdimisht përmes komunikatave për media,  ka përsëritur se nuk do të ketë kompensim të orëve të humbura mësimore. Madje, kjo sindikatë ka paralajmëruar se do të shpallë grevë të përgjithshme, nëse i behet presion.

Më 27 mars Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme, në të cilin është kërkuar gjetja e një zgjidhjeje në mes ministrisë dhe SBASHK-ut.

Ndryshe, SBASHK ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj vendimit të ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyçi për kompensimin e orëve, që ka hyrë në fuqi në fillim të muajit mars, por si i tillë nuk është respektuar nga SBASHK-u. /21Media