Kastrati thotë se po bëjnë riorganizimin e shkollave pas ndryshimeve demografike dhe qëllimi nuk është  largimi i njerëzve nga puna!

Kastrati thotë se po bëjnë riorganizimin e shkollave pas ndryshimeve demografike dhe qëllimi nuk është  largimi i njerëzve nga puna!

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK) ka kërkuar edhe një herë nga kryetari i Komunës së Kamenicës Qendron Kastrati që të heqë dorë nga ideja e tij për mbylljen e 19  shkollave si pjesë e reformave në arsim, duke e quajtur këtë një vendim të ngutshëm dhe të pa analizuar mirë.

Udhëheqësit e SBASHK-ut gjatë një takimi sot me kreun e Kamenicës kërkuan që kjo çështje të debatohet  në nivelin qendror pas konstituimit të institucioneve të Kosovës që do të dalin nga zgjedhjet e tetorit, në të kundërtën paralajmëruan se do të ketë greva në të gjitha shkollat e komunës së Kamenicës.

Në këtë takim kryetari  Kastrati pohoi se ideja e tij nuk është debatuar në asnjë seancë me asamblistët e kësaj komune, duke konsideruar se për këtë nuk ka nevojë.

Gjithë ajo që është  përsëritur nga Kastrati se ideja është në dobi të nxënësve dhe punëtorëve të arsimit  nuk ka qenë e mbështetur në argumente të qëndrueshme  dhe është kundërshtuar me argumente nga kryetari i SBASHK-ut Rrahman  Jasharaj dhe stafi tjetër i kësaj sindikate“, thuhet në komunikatën e SBASHK-ut.

SBASHK ka kërkuar nga kryetari  Kastrati që ta tërheqë idenë për mbylljen e disa shkollave, në mënyrë që procesi mësimor të fillojë  pa probleme.

Kastrati në një postim në Facebook kishte treguar arsyet se pse kërkon mbylljen e 19 shkollave në Kamenicë. Ai kishte shkruar se po bëjnë riorganizimin e shkollave si rezultat i ndryshimeve demografike që tashmë kanë ndodhur. “Kamenica sot ka 40% më pak nxënës sesa në vitin 2011. Në më shumë se gjysmën e shkollave në Kamenicë, klasa e parë i ka më pak se 5 nxënës. Në anën tjetër, duke bërë politikë struci, të udhëhequr nga interesat afatshkurtëra klienteliste, qeverisjet lokale, njëra pas tjetrës kanë vazhduar me numrin e njejtë të punësimeve, sikur asgjë nuk ka ndodhur. Secili që është interesuar sadopak për këtë punë e di që nuk ka mësimnxënie kur mësuesi në një klasë me 5 nxënës i ka dy ditarë me vete, njëri për klasën e parë, tjetri për të katërten.”, ka shkruar mes tjerash Kastrati.

Ai shtoi se qëllimi i reformës nuk është largimi i njerëzve nga puna dhe rëndimi i gjendjes. “Ne tashmë kemi paraprë masa që nuk e lënë askend në rrugë.”, ka thënë ai.

Viti i ri shkollor 2019/2020 në përgjithësi duket se do fillojë pa greva në arsim, përveç në Kamenicë.

Kujtojmë që sistemi arsimor në Kosovë gjysmëvjetorin e dytë të vitit shkollor 2018/2019 e nisi me tre javë vonesë për shkak të grevës që kanë mbajtur mësimdhënësit ku kërkesa e tyre ishte rritja e koeficientit. / 21Media