SBASHK-u fiton një rast në gjykatë për arsimtarët pensionistë

SBASHK-u pret që shumë shpejtë edhe gjykatat nëpër komunat tjera të nisin procedurën e dëgjimit të palëve

Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës ka fituar një rast në Gjykatë që ka të bëjë me pagat e arsimtarëve të pensionuar.

Sipas SBASHK-ut,  Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri  ka aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e SBASHK-ut ku ka fituar në gjykatë betejën e parë me komunat dhe të 13 anëtarët e pensionuar të  kësaj sindikate  do të marrin  vlerën e 3 pagave në emër të shpërblimit jubilar dhe vlerën e 3 pagave  në emër të pagave përcjellëse me rastin  e pensionimit.

“SBASHK-u kishte provuar që përmes takimeve e me dialog me institucionet e pushtetit lokal të realizojë të drejtën e garantuar në nenin 36 të Kontratës Kolektive për  të punësuarit   në arsim,  që janë anëtarë të SBASHK, që   me rastin e pensionimit të gëzojnë  shpërblimet jubilare dhe tri pagat me rastin e pensionimit . Qeveritë komunale  kishin hezituar ta kryenin këtë obligim dhe prandaj SBASHK-u  kishte grumbulluar dokumentacionin e duhur  për anëtarët e vetë  të  pensionuar në vitet 2015 e 2016  dhe kishte ngritur padi në gjykatat  gjegjëse në të gjitha komunat e  Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës, e para ka nisur procedurën dhe ka mbajtur dy seanca lidhur me padinë e SBASHK-ut ndaj komunave, Dega në Vushtrri e Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

“Kjo gjykatë pasi ka dëgjuar mbrojtjen e SBASHK-ut dhe ka administruar provat  ka   aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë   e SBASHK-ut . Në këtë mënyrë  SBASHK-u fitoi në gjykatë betejën e  parë me komunat dhe të 13 anëtarët e pensionuar të  kësaj sindikate  do të marrin  vlerën e 3 pagave në emër të shpërblimit jubilar dhe vlerën e 3 pagave  në emër të pagave përcjellëse me rastin  e pensionimit.

SBASHK-u pret që shumë shpejtë edhe gjykatat nëpër komunat tjera të nisin me seancat dhe me procedurën e dëgjimit të palëve dhe të administrimit të provave  në mënyrë që  gjithë anëtarët e kësaj sindikate të pensionuar në vitet 2015 e 2016 të marrin shumën e  6 pagave , ashtu si ua garanton Kontrata Kolektive e nënshkruar nga SBASHK dhe MASHT”, thuhet në njoftim./21Media

Back to top button