SBASHK-u mbajti takim me kryetarët e sindikatës nga komunat e Kosovës

SBASHK-u mbajti takim me kryetarët e sindikatës nga komunat e Kosovës

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka mbajtur sot një takim konsultativ me kryesinë qendrore dhe me kryetarët e Kuvendeve të Arsimit Fillor e të Mesëm nga të gjitha komunat e Kosovës.

Ata janë informuar për angazhimet dhe detyrat konkrete, me ç’rast është diskutuar edhe për gjendjen para fillimit të vitit të ri shkollor.

Jasharaj ka informuar të pranishmit për me gjendjen e krijuar në Komunën e Kamenicës, pas nismës, siç e quajnë ata, të ngutshme e të pa analizuar mirë të kryetarit Qëndron Kastrati, për mbylljen e 19 shkollave.

Jasharaj ka informuar edhe për takimet me kolegët sindikalistë në Kamenicë dhe për qëndrimin unanim të tyre që të kundërshtohet kjo nismë dhe nëse ajo nuk tërhiqet atëherë të fillohet edhe me veprime sindikale. U dha informatë e plotë edhe për rrjedhën e takimit me kryetarin Kastrati dhe stafin e tij”, thuhet në komunikatën e SBASHK-ut.

Ata njoftuan se kryetari i Sindikatës së Arsimit në Kamenicë, Nazmi Jakupi, ka dhënë disa informata të detajuara për gjendjen në arsimin në këtë komunë.

Pas kësaj është hapur debati dhe kryetarët kanë informuar se në komunat tjera nuk ka probleme të tilla dhe se viti shkollor do të nis mbarë, por ata kanë shprehur shqetësimin e punëtorëve të arsimit nga e tërë Kosova dhe kanë përcjellë solidaritetin dhe mbështetjen e fuqishme për kolegët në Komunën e Kamenicës. Është vendosur të përcillet me kujdes nisja e vitit të ri shkollor në Kamenicë duke uruar që edhe atje të mos ketë probleme, por mësuesit dhe nxënësit të fillojnë punën arsimore e  edukative  secili në shkollën e tij  dhe që të mos ketë shkolla të mbyllura. Nëse kështu nuk ndodh atëherë të martën në të gjitha shkollat e Kamenicës do të ketë grevë dyorëshe si paralajmërim i fundit dhe nëse për një javë kryetari Kastrati nuk tërheq vendimin e tij, atëherë do të niset me grevë të përgjithshme e në kohë të pacaktuar”, njofton SBASHK-u.

Solidaritetin dhe mbështetjen e tyre ndaj këtij veprimi punëtorët arsimor të Kosovës do ta dëshmojnë me një grevë njëorëshe në tërë sistemin arsimor.

Nëse as pas kësaj nuk  ka tërheqje të vendimit për mbyllje shkollash nga ana e Kastratit, atëherë do të mblidhet Këshilli Drejtues i SBASHK-ut për të marrë vendim lidhur me veprimet tjera sindikale në tërë Kosovën. SBASHK-u këtë shqetësim e ka ngritur përmes kryetarit Jasharaj edhe në Këshillin Shtetëror të Licencimit dhe është kërkesë e sindikatës  sonë  që MASHT të reagojë  dhe të ndal këtë ide të Kastratit dhe çështja e zvogëlimit të numrit të nxënësve  krijimi i një strategjie për tërë Kosovën të bëhet me të formuar të institucioneve qendrore që do të dalin nga vota e lirë e popullit në  zgjedhjet e tetorit”, përfundon komunikata e Sindikatës.

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, është i bindur që riorganizimi i shkollave është i domosdoshëm. Kastrati thotë se ky riorganizim vjen si rezultat i ndryshimeve demografike që tashmë kanë ndodhur.

Kastrati ka paralajmëruar se shkollat do t’i mbyll në shtator./21Media