Kastrati pritet t'i mbyllë 19 shkolla në Kamenicë në muajin shtator

Kastrati pritet t’i mbyllë 19 shkolla në Kamenicë në muajin shtator

Kuvendi i Sindikatave të Arsimit Fillor e të Mesëm të Kamenicës mbajti mbledhje të jashtëzakonshme duke marrë qëndrim unanim për hapa konkret në kundërshtim të mbylljes së shkollave në këtë komunë.

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati pritet t’i mbyllë 19 shkolla në Kamenicë në muajin shtator, që sipas tij shkak është gjendja e keqe në të cilat ndodhen ato.

Në këtë takim të jashtëzakonshëm ka marrë pjesë edhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj të cilët kanë përsëritur kundërshtimin ndaj idesë për mbylljen e shkollave në këtë komunë sepse konsiderojnë se ky veprim është i ngutshëm, i pa analizuar mirë dhe se do të sillte komplikime e përplasje.

Kastrati në një postim në Facebook tregon arsyet se pse kërkon mbylljen e 19 shkollave në Kamenicë, pasi deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, e quajti qasje arbitrare vendimin e Kastratit duke mbyllur shkolla pa pajtim me komunitetin.

“Nëse vërtet është i shqetësuar z.Avdullah Hoti, e ftojmë të vijë në Komunën e Kamenicës dhe të vizitojë shkollën me tre nxënës në Gjyrishec, apo Sedllar me një nxënës. Apo 37% të shkollave të Kamenicës që nuk kanë mjedis higjienik. Tridhjetë e shtatë për qind. Jo 5 për qind. Jo 10. Gati gjysma e shkollave në Komunën e Kamenicës nuk kanë as mjedis higjienik. Lista e problemeve në shkolla është e gjatë. Dhe është nxënësi i Kamenicës që po përballet me këto probleme”, shkroi ai.

SBASHK-u fton mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit që ta kundërshtojnë mbylljen e shkollave dhe që në ditën e parë të mësimit, më 2 shtator, të jenë secili në shkollën e tij për të nisur vitin shkollor.

Nëse kryetari Kastrati nuk deklaron se heq dorë nga ideja e mbylljës së shkollave, atëherë në ditën e dytë të mësimit, më 3 shtator, i tërë sistemi arsimor në Kamenicë do të shkojë në grevë dyorëshe.

SBASHK-u publikisht i drejtohet MASHT-it dhe institucioneve të tjera të Kosovës dhe që të kërkojnë nga kryetari që të heq dorë nga kjo ide  në mënyrë që të mos vije deri të veprimet e SBASHK-ut, veprime këto që do të jenë konkrete dhe përgjegjësinë për situatën e krijuar do të ketë vetë kryetari i Kamenicës./21Media