Kalifornia në flakë

Kalifornia në flakë

Shteti i Kalifornisë po vazhdon luftën me vatrat e shumta të zjarreve. Deri me tani autoritetet kanë raportuar për së paku 10 të vdekur, ndërsa me dhjetëra mijëra banorë tjerë janë evakuuar.

Zjarret po vazhdojnë në tetë qarqe në veri të Kalifornisë dhe sipas vlerësimeve të deritanishme, janë shkatërruar mbi 1500 shtëpi dhe objekte të biznesit, ndërsa mbi 20 mijë banorë u detyruan të arratisen për shkak të tymit dhe flakëve.

Guvernatori i Kalifornisë, Xheri Braun, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në tri qarqe, shkruan rtv21.tv

Shumë banorë janë lënduar, ndërsa disa të tjerë konsiderohen të zhdukur.

Agjencia për luftë kundër zjarreve ka tërhequr vërejtjen se mbi 8 mijë shtëpi janë të rrezikuara nga flakët në qarkun Nevada.

Më së shumti nga zjarret është goditur qyteti Santa Rosa, që ka mbi 170 mijë banorë. Në këtë qytet janë djegur shumë dyqane dhe shtëpi, ndërsa për shkak të zjarrit janë mbyllur shkollat dhe janë evakuuar pacientet nga dy spitale të qytetit./21Media