Së shpejti digjitalizimi i biznesit për kompanitë vendore

Si rezultat i këtij projekti priten të krijohen 150 vende pune

Ministri i Zhvillimit Eknomik në detyrë, Valdrin Lluka dhe shefi i zyrës së Agjencionit Austriak për Zhvillimit (ADA) në Kosovë, Gunther Zimmer, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit në mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj Austriake, të quajtur “Qasja në treg dhe shërbimet e digjitalizimit të biznesit për kompanitë e Kosovës – ACCESS”, e cila ndër të tjerash ka për synim uljen e varfërisë në Kosovë.

Në komunikatën e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, thuhet se kjo marrëveshje përmban një sërë intervenimesh lehtësuese, përballë kufizimeve sistemike të tregut të cilat pengojnë uljen e varfërisë në Kosovë. “Intervenimet janë përshtatur për të nxitur ndryshime sistemike në sjelljet, aftësitë dhe marrëdhëniet e akterëve kyç të sistemit të tregut dhe për të sjellë përfitime për njerëzit që jetojnë në varfëri. Si rezultat i këtij projekti, 150 vende pune do të krijohen ose mirëmbahen, deri në 4,800 kompani të sektorit privat, të punësuarit e tyre dhe popullsia më e gjerë (dhe ajo e varfër) në Kosovë do të përfitojnë nga aktivitetet e projektit”.

Ministri Lluka tha se ky projekt do të mundësoje aplikimin e praktikave më të mira austriake të zhvillimit të sektorit privat.

“Ky projekt është edhe një dëshmitar e bashkëpunimit të ngushtë në mes të Qeverisë Austriake dhe asaj të Kosovës në fushën e Zhvillimit të sektorit privat. Agjencioni Zhvillimor Austriak ka qenë gjithmonë i gatshëm të ndihmoj Kosovën duke aplikuar në Kosovë praktikat më të mira austriake të zhvillimit”, tha ai.

Ndërsa, Zimmer Gunther, shefi i zyrës së ADA në Kosovë, ka thënë se përmes këtij projekti vazhdojmë përkrahjen e zhvillimit të sektorit privat në Kosovë në luftën kundër varfërisë.

“Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) përmes projektit ACCESS vazhdon përkrahjen për zhvillimin e sektorit privat në Kosovë me qëllim të fuqizimit të mëtejmë të ndërmarrjeve private dhe luftimit të varfërisë. Krahas projekteve në zhvillimin rural, arsimin e lartë, stimulimin e investimeve të huaja, fuqizimin e sektorit privat etj. ADA, përmes projektit ACCESS dhe në bashkëpunim me qeverinë e Republikës së Kosovës, mbetet e përkushtuar për fuqizimin e sektorit privat në Kosovë edhe përmes fushës së digjitalizimit. Projekti synon mes tjerash që të kontribuojë në aftësimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme të Kosovës për tu përballur me sfidat e epokës së digjitalizimit. Nënshkrimi i marrëveshjes me MZhE-në, është një dëshmi për përkushtimin e institucioneve të Kosovës drejt këtij synimi të përbashkët”, u tha nga Agjencia Austriake për Zhvillim./21Media

Back to top button