Dëshmon ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë, Marie Yovanovitch

Dëshmon ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë, Marie Yovanovitch

Sot në seancën e dytë publike të Dhomës së Përfaqësuesve, në lidhje me hetimet ndaj presidentit Donald Trump, ka dëshmuar dëshmitarja e vetme për ditën e sotme, ish ambasadorja amerikane në Ukrainë Marie Yovanovitch.

Ajo u vu në shënjestër të aleatëve të presidentit në një fushatë “njollosjeje” që tani është në qendër të hetimit. Diplomatja e karrierës, u ka shërbyer si presidentëve republikanë, ashtu edhe atyre demokratë.

Marie Yovanovitch tregoi se si u shkarkua papritmas nga presidenti Trump në serinë e shpejtë të ngjarjeve që dhanë alarmin në lidhje me politikën e jashtme të ndjekur nga Shtëpia e Bardhë.

“Individët që me sa duket u ndjenë të penguar nga përpjekjet tona për të promovuar politikën tonë kundër korrupsionit, për të kryer misionin tonë, qenë në gjendje që me sukses të zhvillonin një fushatë dezinformuese kundër një ambadasori në detyrë, duke përdorur kanale jozyrtare, përmes së cilave kanë bërë akuza të pabaza, duke e bindur presidentin Trump që të më shkarkojë, përkundër faktit që departamenti i shtetit e ka ditur se pretendimet kanë qenë të pavërteta.”, tha ajo.

Yovanovitch dhe zyrtarë të tjerë që tani po dëshmojnë publikisht në seancat historike të Dhomës së Përfaqësuesve, po japin versionet e tyre të ngjarjeve, ku demokratët po mbështeten për të ngritur argumentin se sjellja e presidentit është e pafalshme.

Në veçanti, ish-ambasadorja Jovanoviç dhe diplomatë të tjerë thonë se Rudi Gjuliani, avokati personal i presidentit Trump, ishte njeriu që drejtonte atë që ata e quajnë “kanal jozyrtar” jashtë rrjedhës diplomatike të marrëdhënieve SHBA-Ukrainë.

Në thelbin e tij, hetimi për shkarkimin e presidentit ka të bëjë me telefonatën e presidentit Trump në muajin korrik me Zelenskiy-n që fillimisht tërhoqi vëmendje kur një kallëzues anonim paraqiti një ankesë. Në bisedën telefonike, Trump kërkoi nga Ukraina që të hetoj rivalin e tij Xho Bajden, kandidat për zgjedhjet presidenciale të 2020-s, në këmbim të ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën./21Media