Deputetët shkojnë në pauzë, seanca vazhdon në ora 14:00

Deputetët shkojnë në pauzë, seanca vazhdon në ora 14:00

Seanca e mbetur dje në gjysmë ku në rend dite ka qenë projektbuxheti për vitin 2018 po vazhdon edhe sot. Gjatë paradites në seancë nuk ishin shumica e anëtarëve të kabinetit qeveritar e as kryeministri Ramush Haradinaj, përveç ministrit të Financave Bedri Hamza.

Sikurse dje projektbuxheti i propozuar nga ministri Hamza është kritikuar nga deputetët e opozitës si i mangët dhe jo profesional.

Deputeti i Vetëvendosjes Faton Topalli tha se për 17 vjet nuk doli askush që këtë vend ta nxjerr nga balta.

Ai përmendi faktin se duke pasur rezerva të thëngjillit e ende e ka çmimin më të lartë në rajon.

“Sinqerisht duhet të pyes së si një doktor i ekonomisë, akademik si Isa Mustafa dhe tjetri dje guvernator i BQK-së i vlerësuar si ekonomist i zoti të mos dijë asgjë më shumë se për të kopjuar politikat ekonomike të një historiani. Si është e mundur që ky vend i cili jeton mbi energji që ka rezerva të thëngjillit për një mijë vitet e ardhshme dhe që paguan 50 më shumë për energji elektrike se sa vendet e rajonit. Ky vend që jeton mbi plumb, mbi arë, ky vend që ka popullsinë me të re në Evropë që të mos ketë gjetur për 17 vite me radhë as gjatë pushtetit të LDK-së, as të PDK-së një ministër të zotin që është në gjendje ta nxjerrë këtë vend nga balta”, tha Topalli.

Për këto, u kundërpërgjigj ministri i Financave Bedri Hamza, i cili i quajti vlerësime të gabueshme dhe jo reale.

“E pate një diskutim goxha analitik por me analiza të pasakta dhe të paqëndrueshme. E para buxheti është 2 miliardë e 82 milionë, nëse flet për pjesën e të hyrave është diçka tjetër, nëse flet për pjesë e të dalave buxhetore është diçka tjetër dhe buxheti është 2 miliardë e 82 milionë euro. Pjesa e të hyrave është 1 miliardë e 829 milionë plus deficiti buxhetor dhe çështjet tjera kur t’i shtohen. Gjithashtu patë prapë analiza tjera të pasakta, partnerë kryesor i Kosovës është BE, shkëmbimet me të mëdha tregtare i ka me BE-në. Sa i përket ndryshimeve, unë e di dhe gjithë pajtohen që Kosova ka nevojë për rritje ekonomike me të madhe, por rritja ekonomike prej 4.6 apo sipas vlerësimeve të BB prej 4.8 është rritja më e madhe ekonomike në regjion, është rritja më e madhe ekonomike që ka ndodh pas luftës”, theksoi Hamza.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, vlerësoi se projektligji për buxhetin e vitit 2018 është në shpërputhje me programin e Qeverisë për katër vitet e ardhshme.

“Dje na u tha një e vërtetë se do të ketë rritje ekonomike 4.6 për qind në vlera nominale dhe 4.8 për qind apo 5 në vlera reale dhe kjo përafërsisht do të jetë e njëjtë për tri vitet e ardhshme, kjo është e vërteta e parë ministër. E vërteta tjetër është se në programin qeverisës është parashikuar një rritje pre 7-8 për qind. E vërteta tjetër, ju na thatë që rritja e pagave në sektorin publik në Kosovës do të jetë 3.5 për qind apo 5, mirëpo e vërteta tjetër është që në programin qeverisës keni thënë që rritje do të ketë deri në 30 për qind. Në programin qeverisës parashiheshin si prioritete dy segmente të rëndësishme, arsimi dhe shëndetësia. Dhe ju dje na thatë që do të ketë rritje të buxhetiti në këta dy sektorë, pajtohem edhe këtu, por i nderuar ministër reflektimi në këtë projektbuxhet është krejt i kundërt”, theksoi Selmanaj.

Selmanaj e ka quajtur paradoks parashikimin në programin qeverisës se FSK-ja do të shndërrohet në ushtri, derisa në buxhet nuk ka asnjë cent shtesë përveç shumës prej 58 milionë eurove të cilat janë para të rregullta për shpenzimet që i bën FSK-ja.

Edhe ndaj deklaratave të Selmanajt iu përgjigj ministri Hamza, duke thënë se ka lidhshmëri mes buxhetit dhe programit qeverisës.

“Dua të besoj që i ke lexuar me kujdes edhe programin qeverisës edhe buxhetin, edhe ka një lidhshmëri, edhe nëse e shikojmë cilat janë prioritetet në programin qeverisës, janë të reflektuara edhe në buxhet. Nëse i kemi dhënë prioritet rendit dhe ligjit, kemi rritje të buxhetit për sektorin e rendit dhe ligjit, nëse kemi thënë që është prioritet shëndetësia, ka rritje, i vetëdijshëm që ka nevojë për rritje më të madhe edhe për arsimin, prandaj ka një lidhshmëri. E përmendët çështjen e rritjes ekonomike, besoj që më tepër ka qenë çështje teknike e numrave, mirëpo nëse e shikojmë me kujdes në projektbuxhet thotë që rritja ekonomike reale do të jetë 4.6 për qind ndërsa rritja nominale 6 për qind. Mirëpo pak më poshtë thotë që rritja mund të kalojë këto nivele nëse fillojnë investimet në projektet e mëdha gjeneruese në energji”, u shpreh Hamza.

Seanca ku ende do të diskutohet për projektbuxhetin do të vazhdojë në orën 14:00, pasi deputetët kanë shkuar në pushim një orësh.