Pas orës 14:00, vazhdon debati

Pas orës 14:00, vazhdon debati

Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë deri në orën 14:00. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se pas orës 14:00 vazhdon debati me deputetët.

Me kërkesë të deputetëve, në Kuvendin e Kosovës po zhvillohet debat parlamentar lidhur me zbrazjen e vendit nga të rinjtë, si rrezik që po i kanoset Kosovës që nga paslufta. Fidan Rekaliu, në emër të propozuesve ka kërkuar nga grupet parlamentare të prezantojnë bashkërisht një rezolutë unifikuese për mbrojtjen dhe avancimin e të rinjve të Kosovës.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova në këtë seancë ka thënë se duhet të jenë unik për çështjen për të cilën po debatohet sot në Kuvendin e Kosovës. Në seancën e jashtëzakonshme, Rugova ka thënë se të gjithë janë përgjegjës për degradimin e vendit.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se kjo seancë është thirrur papritur dhe se deputetët mund të mos jenë të përgatitur për të debatuar një çështje të tillë. Sipas tij, tema të tilla sikur kjo e migrimit, duhet të trajtohen më seriozisht.

Ndërsa, seanca plenare që ishte e paraparë të mbahej sot, është shtyerë për të hënën (më 15 prill), në orën 10:00./21Media