“Secili ish luftëtar i UÇK-së është hero i Kosovës”

Pacolli ka shkruar se lufta e Kosovës ka qenë e drejtë dhe e pastër

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, është deklaruar lidhur me fillimin e intervistimit të disa ish-ushtarëve të UÇK-së në Hagë. Lidhur me këtë, Pacolli ka shkruar në Facebook se lufta e popullit të Kosovës për liri ka qenë e drejtë, e pastër, e si e tillë dëshmohet edhe tani. Ndër tjerash, Pacolli ka thënë se secili ish-luftëtar i UÇK-së është hero.

“Lufta e popullit të Kosovës për liri ka qenë e drejtë, e pastër dhe si e tillë do të dëshmohet edhe tani. Besoj fuqishëm në drejtësi, ashtu sic besoj fuqishëm tek secili ish luftëtar i UÇK-së që ka bërë luftë të drejtë dhe sipas rregullave ndërkombëtare. Secili ish luftëtar i UÇK-së është hero i Kosovës.”, ka shkruar Pacolli.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa, u paraqit sot për intervistim në Prokurorinë Speciale në Hagë, në lidhje me pretendimet për përfshirjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë. Në një deklaratë të shkurtër për gazetarë, para intervistës, Mustafa tha se “do t’iu përgjigjet të gjitha pyetjeve të prokurorit”.

Në Hagë, këtë javë do të intervistohet edhe Sami Lushtaku, po ashtu ish-komandant i UÇK-së. Lushtaku, dje pak kohë para nisjes ka thënë se nuk e di se për çfarë do të intervistohet nga Prokuroria Speciale./21Media

Back to top button