Sejdiu: Buxheti më shumë është shpenzues, se që krijon mirëqenie

Sipas Sejdiut investimet nuk prodhojnë të mira për vendin

Deputeti i pavarur, Korab Sejdiu gjatë vazhdimit të sotëm të seancës ka përsëritur se nuk përkrah buxhetin e paraparë për vitin 2019, duke e cilësuar atë si më shumë shpenzues se sa që krijon mirëqenie për qytetarët.

Ai ka shtuar edhe se investimet nuk prodhojnë të mira për vendin.

“Nuk ka takim, nuk ka seancë që ne nuk flasim për drejtësinë si prioritet për nevojën e këtij vendi që të kemi sundim të së drejtës, e kështu me radhë . Në fakt edhe dje ministri me ambasadorin e ri e theksoi rëndësinë e këtij sektori. Ta shohim a është bërë me këtë projektbuxhet prioritet i kësaj Qeverie. Kemi përafërsisht diku 75 milionë alokim të shpenzimeve për drejtësi, prej tyre diku rreth 23 milionë për Ministrinë e Drejtësisë, 23 milionë e gjysmë që në fakt 17 milionë janë të planifikuara për sistemin korrektues. A mjafton kjo për të shtyrë përpara një sektor që të gjithë ne po pajtohemi, pavarësisht pozitë apo opozitë që është prioritet”, tha Sejdiu.

Sejdiu u shpreh se ky buxhet nuk parasheh aspak zhvillim, ani pse është rritur.

Kuvendi i Kosovës sot nga ora 11:00 ka vazhduar seancën e papërfunduar dje. Pas një debati të gjatë për projektligjin e buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019, seanca e Kuvendit është ndërprerë pa u hedhur në votim buxheti./21Media

Back to top button