Dardan Sejdiu reagon pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ekipin Negociator

Dardan Sejdiu reagon pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ekipin Negociator

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PSD-së, Dardan Sejdiu, pas vendimit të Gjykatës për Ekipin Negociator ka thënë se kanë hyrë në delegacion me kushtin që të ketë kompetenca.

Por, sipas Sejdiut, procesi i dialogut tashmë kthehet në duart e presidentit dhe kryeministrit për të cilën thotë së dy partitë opozitare LDK dhe VV ‘ia servuan Hashim Thaçit dialogun në duar’.

“Tentimin e PSD për të ja dhënë kompetencat dhe fuqinë vendimmarrëse Kuvendit dhe për t’a hequr dialogun nga duart e Hashim Thaçit e sfiduan dy partitë tjera opozitare LDK dhe VV”, ka thënë Sejdiu përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin social ‘Facebook’.

Partia Socialdemokrate e pranon këtë vendim dhe do të veprojë sipas tij. Rrjedhimisht, nga sot anëtarët e Delegacionit shtetëror nga radhët e PSD-së pushojnë të shërbejnë në këtë organ”, thuhet më tutje në postimin e tij.

Sot Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka dhënë përgjigje kërkesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kërkuan vlerësim të kushtetutshmërisë së Ligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë. E sipas Gjykatës nuk janë në pajtueshmëri me Kushtetutën.

Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ekipin Negociator të Kosovës, me në krye zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj dhe kryetarin e Partisë Socialdemokrate Shpend Ahmeti. Ky ekip, ishte paraparë të funksiononte mbi bazën e Ligjit për kompetencat dhe përgjegjësitë e Delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, por i cili ishte kontestuar nga LDK dhe Vetëvendosje, të cilat i ishin drejtuar Kushtetueses me kërkesën për interpretim./21Media