Sejdiu: Ushtria ndër vendimet më të rëndësishme pas Pavarësisë

Sejdiu shumë i bindur që Ushtria e Kosovës do të jetë një mbrojtëse e denjë e idealeve të lirisë

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu me rastin e votimit të ushtrisë në Kuvendin e Kosovës është shprehur se kjo ditë është ditë historike.

Sejdiu përmes një shkrimi në facebook është shprehur se vendimi i sotëm i Kuvendit të Kosovës për themelimin e Ushtrisë së Kosovës, padyshim është njëri nga vendimet më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë së vendit.

“Ecja e suksesshme transformuese e Trupave të Mbrojtëjes së Kosovës në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe sot në Ushtrinë e Kosovës u bë me një bashkëpunim dhe partneritet të thellë me NATO- në dhe vendet më të rëndësishme mbështetëse të Kosovës. Këtu është roli parësor i SHBA-ve, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, por nuk duhet kujtuar kontributin e shumë vendeve tjera anëtare të NATO-së të cilat kanë edhe sot kontigjentet e tyre në Kosovë”, ka shkruar Sejdiu.

Ish-presidenti ka shkruar se ka pasur nderin dhe privilegjin e veçantë kur si President i vendit kishte cilësinë e Komandantit Suprem të këtij mekanizmi mbrojtës.

“Është ditë historike për Kosovën. Është ditë që shënon një epokë të re të rritës sonë. Jam shumë i bindur se Ushtria e Kosovës do të jetë një mbrojtëse e denjë e idealeve të lirisë. Mbrojtëse e atyre idealeve për të cilat janë sakrifikuar shumë gjenerata në rrugën e vështirë që e kemi kaluar. Ushtria e Kosovës do të jetë garant i mbrojtjes së lirisë së gjithë qytetarëve të vendit.
Ajo do të zhvillohet në vazhdimësi në partneritet me NATO-në dhe në miqësi të përhershme me ushtritë e vendeve më të fuqishme në botë të cilat e kanë mbështetur pa rezervë Kosovën”, ka shkruar më tutje Sejdiu.

Kosova tashmë ka ushtrinë e saj. Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar transformimin e Forcës së Sigurisë në Ushtri të Kosovës. Janë miratuar tri ligjet për FSK-në: Ligji për Ministinë e Mbrojtes, Ligji për FSK-në dhe ligji për Shërbimin në Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Dita e sotme nga liderët e vendit dhe bashkësia ndërkombëtare veçanërisht Amerika është cilësuar si ditë historike për Kosovën. Në këtë ditë sheshi i Prishtinës është mbushur me flamuj të shteteve mike. Me flamuj amerikanë është mbushur edhe Mitrovica.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është themeluar në vitin 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit. FSK është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s, ndërsa paraprakisht me përfundimin e luftës ishin formuar Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK). Transformimi i FSK-së në ushtri vjen 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Një hap i tillë nuk arriti të realizohet deri më tani për shkak të pamundësisë së ndryshimeve kushtetuese, të cilat mund të bëhen vetëm me votën e deputetëve të komuniteteve pakicë në Kuvend, përkatësisht votat e deputetëve serbë. Kështu, institucionet e Kosovës zgjodhën që shtimin e kapaciteteve ushtarake për FSK-në ta bëjnë përmes ligjeve, pa prekur edhe emrin e FSK-së./21Media

Back to top button