Bajamet ndihmojnë në forcimin e kockave

Bajamet ndihmojnë në forcimin e kockave

Në grupin e frutave të thata bëjnë pjesë arrat, bajamet, lajthitë, kikirikët, etj. Kanë vlera të larta ushqyese, por edhe shumë kalori. Në 100 gr fruta të thata mund të gjenden deri në 500 kalori. Ato janë shumë të pasura me proteina, fibra, vitamina, kripëra minerale, acide yndyrore të pangopura dhe acide yndyrore esenciale në formën e Omega-3.

Frutat e thata përmbajnë vitamina A, vitaminë B, vitaminë C, hekur, kalcium, fosfor, kalium, magnez, etj. Për shkak të vlerave të larta ushqyese, ato kanë qenë objekt i shumë studimeve dhe janë analizuar vetitë e tyre terapeutike. Është parë që konsumi i përditshëm i një sasie të frutave të thata redukton deri në 20 % vdekshmërinë nga shumë sëmundje. Acidet yndyrore Omega-3, që gjenden tek frutat e thata, ndihmojnë në rritjen e nivelit të kolesterolit të mirë dhe uljen e niveleve të kolesterolit të keq në gjak, duke bërë të mundur uljen deri në 30 % të rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare, por vetëm nëse konsumohen në sasi të moderuara çdo ditë.

Gjithashtu ndihmojnë në ruajtjen e nivelit të glicemisë në gjak, prandaj janë shumë të rekomandueshme për personat që vuajnë nga diabeti i tipit 2. Njëkohësisht është parë edhe aftësia e tyre në uljen e rrezikut të tumoreve të ndryshme. Janë shumë të rekomandueshme për fëmijët, pasi janë të pasura me vitaminë dhe kripëra minerale që ndihmojnë në rritjen e shëndetshme të tyre. Janë gjithashtu edhe burim i mirë energjie, prandaj janë të rekomandueshme të konsumohen rregullisht edhe nga sportistët, para dhe pas stërvitjes fizike.

Acidet yndyrore të pangopura dhe vitamina E veprojnë si antioksidues të fuqishëm duke bërë të mundur eleminimin e radikaleve të lira si dhe në rigjenerimin e lëkurës.

Acidet yndyrore të lajthive p.sh., ndihmojnë në parandalimin e shfaqjes së  arteriosklerozës dhe sëmundjeve kardiovaskulare.

Janë parë edhe vlera të larta ushqyese të kikirikëve, të cilët mendohet të kenë efekte pozitive për sëmundjen e Parkinsonit.

Por kujdes! Frutat e thata mund të kenë rrezik të lartë të shfaqjeve të alergjive, kryesisht kikirikët, të cilët mund të jenë shkaktarë të alergjive tek personat që nuk i tolerojnë. Studimet e fundit kanë treguar se konsumi i frutave të thata në moshë të vogël, sidomos i kikirikëve, ul përqindjen e shfaqjes së alergjive në moshë të rritur. Sasia e rekomandueshme e frutave të thata do të ishte rreth 30 gr në ditë.