Sektori i energjisë faktor kyç i zhvillimit ekonomik

Energjia si një prej prioriteteve themelore

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa sot mori pjesë në Forumin e Dytë të Nivelit të Lartë për Energji “Strategjia e Energjisë dhe Liberalizimi i Tregut”.

Mustafa shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe asistencën e vazhdueshme që Qeveria dhe institucionet e  Kosovës kanë marrë nga partnerët ndërkombëtarë, mbështetje kjo që ka ndikuar në rimëkëmbjen e ekonomisë dhe në fokusimin në sektorët kyç të zhvillimit, siç është edhe sektori i energjisë, bën të ditur zyra për informim e kryeministrit.

“Ne kemi miratuar Strategjinë e Energjisë për periudhën 2017-2026 dhe këtë e konsiderojmë si një të arritur të veçantë, sepse energjia mbetet një prej prioriteteve themelore dhe jo vetëm si resurs relevant për zhvillim ekonomik dhe për zhvillim social të Kosovës edhe në këtë periudhe, por edhe në periudhën e ardhshme. Konsiderojmë poashtu se aq sa ka qenë e rëndësishme aprovimi i kësaj Strategjie, aq i rëndësishëm është edhe angazhimi ynë i përbashkët për implementimin e saj dhe kjo do të jetë prioritet i veçantë i Qeverisë. Poashtu edhe prioritet i bashkërenditjes, në mënyrë që ne t’i arrijmë caqet, të cilat dëshirojmë t’i arrijmë me strategjinë tonë në këtë fushë”, tha Mustafa.

Më tej, kryeministri Mustafa theksoi nevojën që ka Kosova për zhvillimin e burimeve të energjisë, por edhe fillimin e ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”, si prioritet i parë i Qeverisë.

Ndërsa, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci tha se e gjitha që është bërë në kuadër të një vizioni strategjik për të ardhmen e sektorit është përfshirë në pesë objektiva themelore, që kanë vlerë prej rreth 3 miliardë euro, investime që priten në të ardhmen të realizohen në sektorin e energjisë.

“Objektivi i parë ka të bëjë me ndërtimin dhe rehabilitimin e kapaciteteve gjeneruese të energjisë elektrike, objektivi i dytë me integrimin në tregun rajonal nëpërmjet realizimit të masave të buta, objektivi i tretë me zgjerimin e sistemeve termike, objektivi i katërt me zhvillimin e infrastrukturës së gazit dhe objektivi i pestë me arritjen e caqeve në kuadër të zbatimit të masave të efiçiencës të realizimit të investimeve me burime të ripërtëritshme të energjisë dhe përmbushjes së detyrimeve që kemi përballë Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit”, tha Stavileci.

Më tej, ministri Stavileci theksoi se lajm shumë pozitiv për sektorin e energjisë në dy vitet e fundit është edhe miratimi i pakos së tretë të ligjeve për energjinë, që hapë rrugën për liberalizimin e tregut dhe të çmimeve, e poashtu krijon mundësinë e një tregu konkurrues të energjisë elektrike, synim ky jo vetëm i Kosovës, por i të gjitha shteteve të regjionit. Greg Delawie, ambasador i SHBA-ve në Kosovë, e ka quajtur shumë të rëndësishëm këtë diskutim, meqenëse viti 2017 për Kosovën është shumë i rëndësishëm për këtë sektor.

“Është me rëndësi kritike për Kosovën që të vazhdojë të punoj drejt përmbushjes së standardeve evropiane dhe të bëjë sektorin e energjisë më modern, më të sigurt dhe më konkurrent”, tha ambasadori Delawie. Në këtë forum ishin të pranishëm edhe ambasadori i SHBA-ve, Greg Delawie, shefi i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli, përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Luigi Brusa, ministri Blerand Stavileci, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë nga Kosova dhe Shqipëria.

Back to top button