Energjia mbetet sfidë për shtetin

Sipas Apostolova-s, BE-ja i ka investuar më shumë se 19 milionë në realizimin e masave të efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike

Bashkimi Evropian ofron mbështetje ndaj politikave qeveritare lidhur me zbatimin e Ligjit të ri për Efiçiencën e Energjisë, dhe krijimin e Fondit për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë, si një nga rezultatet kryesore të Ligjit për Efiçiencë të Energjisë. Kështu u deklarua në konferencën e karë të kryetarëve të komunave të Kosovës , ku përqendrimi ishte edhe në sigurimin e mbështetjes financiare për zbatimin e efiçiencës së energjisë dhe zgjidhjeve për energji të ripërtërishme në komuna.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova ka thënë se presin miratim nga kryetarët e komunave për përmirësim të politikave të efiçiencës së energjisë, teksa ka pranuar që energjia mbetet sfidë për shtetin kosovar.

BE-ja i ka investuar mbi 19 milionë me qëllim të reduktimit të konsumit të energjisë

Sipas Apostolova-s, BE-ja i ka investuar më shumë se 19 milionë në realizimin e masave të efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike me qëllim të reduktimit të konsumit të energjisë. “Kjo do ta përmirësojë shkallën e rehatisë  të studentëve në shkolla si dhe të pacientëve në spitale dhe qendra familjare, për me tepër me mbështetjen, me fondet e BE-së ne i kemi reduktuar humbjet e energjisë dhe të ujit në sistemin e ngrohjes qendrore në Prishtinë, presim me padurim që projekti ynë i ardhshëm ta shtojë efikasitetin e ngrohjes qendrore në Gjakovë, dhe të ndërtimit të impianteve dhe termocentrave të reja…”, tha ajo.

Apostolova ka shtuar se pret që komunat e Kosovës t’i bashkëngjiten këtij rrjeti.

Parashihen edhe mbi 80 milionë euro investime

Kurse, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka me këtë rast tha se kjo ministri qe një kohë i ka kushtuar vëmendje të veçantë eficienës së energjisë, duke përfshirë strategjinë që parasheh investime, kurse me kalimin e ligjit për efiçiencë të energjisë do të kenë edhe fondin.  i cili krijon mundësi përfitimi nga komunat.

Ai gjithashtu tha se strategjia e energjisë e miratuar në Kuvendin e Kosovës parasheh mbi 80 milionë euro investime. Ministri shtoi se shpreson që shumë shpejt do të kenë edhe miratimin e këtij ligji.

Sipas Llukës komunat luajnë rol të madh në arritjen e këtyre qëllimeve, duke shtuar se ato kanë rëndësi sepse operojnë me një numër të madh të ndërtesave publike si dhe ndriçimin publik. Ai bëri të ditur se Bashkimi Evropian ka dhënë 10 milionë për fillimin  e këtij fondi.

Në konferencë do të bëhet edhe inaugurimi i Kartës së Energjisë të kryetarëve të komunave të Kosovës si një deklaratë angazhuese për përmirësimin e nivelit të komforit në të gjitha ndërtesat komunale duke zbatuar projekte të efiçiencës së energjisë dhe të energjisë së ripërtëritshme, si dhe për të zvogëluar ndotjen e mjedisit në komuna dhe për të kursyer shpenzimet për energji.

Back to top button