Policia thotë se shtetit i është shkaktuar një dëm i madh ekonomik

Policia thotë se shtetit i është shkaktuar një dëm i madh ekonomik

Operacioni policor “Bileta e falsifikuar” ka çuar në pranga 8 persona, 4 prej tyre administratorë shoqërish transporti.

Policia e Shqipërisë sekuestroi rreth 150 mijë bileta të falsifikuara të cilat kapin vlerën  e 6 milionë lekëve të reja.

Arrestimet u bënë nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor,  pas një hetimi një mujor me metoda speciale të hetimit.

Të arrestuarit janë, sipas Policisë janë F. I., 60 vjeç, F. V., 60 vjeç, A. V., 51 vjeçe, E. V., 33 vjeçe, L. A., 47 vjeç, A. D., 39 vjeç, K. Q, 42 vjeçe, dhe A. I., 20 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

Siç bën me dije Policia, të arrestuarit dyshohet se duke bashkëpunuar me njëri -tjetrin kanë falsifikuar bileta të transportit urban në kohë dhe periudha të ndryshme, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitim financiar të disa shoqërive operatore në transportin urban në qarkun Tiranë.

Këta shtetas përdornin bileta urbani të falsifikuara dhe jo të prodhuara në Shtypshkronjën e Letrave me Vlerë, të cilat i kishin hedhur në qarkullim duke përfituar shuma të konsiderueshme monetare.

Nëpërmjet këtyre veprimeve, policia thotë se i kanë shkaktuar shtetit një dëm të madh ekonomik, i cili do të përllogaritet në vazhdimësi nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Gjithashtu u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një automjet i markës “Masserati”, 4 aparate celulare, në posedim nga personat nën hetim, kartela të ndyshme financiare të plotësuara me shkrim dore, 5 libra arkash, 62 blloqe mandatesh arkëtimi, 350 kopje mandatesh arkëtimi , si dhe dokumente të tjera me shënime të ndryshme./21Media