Janë kontrolluar gjashtë lokacione në Pejë

Janë kontrolluar gjashtë lokacione në Pejë

Policia në Pejë në bashkëpunim me inspektorët e Ministrisë së Shëndetësisë, ka realizuar një plan operativ për kontrollimin e disa lokacioneve në të cilat dyshohej për medikamente pa banderola me origjinë të dyshimtë.

Janë kontrolluar gjashtë lokacione, nga të cilat katër barnatore dhe dy shtëpi në qytetin e Pejës, me ç’rast janë gjetur 1724 paketime, ku përfshiheshin 353 lloje të medikamenteve të ndryshme pa banderola.

“Sot, Policia e Kosovës, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Pejë, ka pranuar informacione se në disa lokacione është duke u ushtruar veprimtari penale e cilësuar si  ‘Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’. Pas pranimit të informacioneve dhe analizimit të tyre NJRHKEK – Pejë në bashkëpunim me inspektorët e Ministrisë së Shëndetësisë, ka realizuar një plan operativ për kontrollimin e disa lokacioneve në të cilat dyshohej për medikamente pa banderola me origjinë të dyshimtë. Gjatë operacionit policor janë kontrolluar gjashtë lokacione, nga të cilat katër barnatore dhe dy shtëpi në qytetin e Pejës, me ç’rast janë gjetur njëmijë e shtatëqind e njëzet e katër (1724) paketime, ku përfshiheshin treqind e pesëdhjetë e tre (353) lloje të medikamenteve të ndryshme pa banderola, të cilat me procesverbal janë sekuestruar nga ana e inspektorëve të Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa zyrtarët e doganës këto medikamente i kanë pranuar në ruajtje dhe të njejtat do të përdoren si dëshmi për procedurat e mëtutjeshme”, thuhet në komunikatën e dërguar për media.

Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Pejë nga Departamenti i Krimeve të Përgjithshme si dhe është përpiluar shënim zyrtar për gjyqtarin e procedurës paraprake./21Media