Kosta-Rika konsiderohet një nga vendet tranzite të drogave të forta

Kosta-Rika konsiderohet një nga vendet tranzite të drogave të forta

Policia e Kosta-Rikës ka sekuestruar një sasi rekord prej 5 tonë kokainë, që është edhe sasia më e madhe në historinë e vendit.

5,048 pako njëkilogramëshe u gjetën të shtunën në një kontejner anijeje që do të transportonte lule zbukuruese drejt Holandës.

Kontejneri i dyshimtë kishte tërhequr vëmendjen, dhe pas inspektimit të hollësishëm në brendësi ishin zbuluar valixhet me pako me kokainë.

Dërgesa do nisej të dielën drejt portit holandez të Roterdamit.

Autoritetet thanë se kanë ndalur një shtetas kostarikan 46-vjeçar që ishte ngarkuar me vendosjen e kontejnerit, por mësohet se i dyshuari nuk ka precedentë të mëparshëm penalë.

Kosta-Rika konsiderohet një nga vendet tranzite të drogave të forta që prodhohen në Amerikën Latine dhe pastaj tregtohen në SHBA apo në Evropë.

Vitin e kaluar, ndërhyrjet policore të vendit çuan në sekuestrimin e një tot ali prej 31,1 tonë kokainë.

Në Holandë, një tjetër vend pritës i drogave të forta, në të njëjtin vit u kapën 38 tonë kokainë, apo 50 për qind më shumë sesa në vitin 2018.

Sipas policisë holandeze, vetëm çereku i sasisë së kokainës që mbërrin në port arrin të zbulohet.