Deputetit të LDK-së tha se buxheti nuk ka të bëjë me zhvillim ekonomik dhe as me trajtimin e kategorive të personave të cilëtkonsiderohen të varfër

Deputetit të LDK-së tha se buxheti nuk ka të bëjë me zhvillim ekonomik dhe as me trajtimin e kategorive të personave të cilëtkonsiderohen të varfër

Ndryshe nga kolegët e tij të LDK-s, deputeti Driton Selmanaj e ka quajtur “buxhet elektoral”, buxhetin për vitin 2019.

Ndërsa u tregua kritik për ndarjen e mjeteve prej 1 milionë e 200 mijë euro për OJQ-n “Ta pastrojmë Kosovën”, ndërkohë që janë ndarë vetëm 900 mijë euro për kontejnerët për komuna.

Në fjalën e tij gjatë seancës plenare e cila po vazhdon sot, deputeti i LDK-s, tha se buxheti nuk ka fare të bëjë me zhvillim ekonomik dhe as me trajtimin e kategorive të personave të cilët në Kosovë konsiderohen të varfër.

Ndërsa ka dhënë shpjegime për atë se çka e bënë buxhetin që të ketë karakter elektoral, pasi që jep mundësi që ky i fundit të përkthehet në votë.

“Nëse e shikojmë vetëm pjesën që ka të bëjë me kategoritë sociale, kap shifrën 465.8 milionë euro. Nga ana tjetër subvencione dhe transfere krahasuar me vitin 2017, kemi vlerë në rritje 103 milionë euro më shumë. Mallra dhe shërbime 111 milionë euro më shumë. Dhe, nëse e marrim edhe një shembull tjetër, se si Qeveria gjatë vitit 2018 ka marrë vendime lidhur me shpenzimet e paparashikuara, kapin shifrën prej 8.387 milionë euro. Në total, krejt këto dalin 687 milionë euro, 1/3 e buxhetit mund të jetë në funksion të votave, ose të asaj se si mund të fitohen zgjedhjet. Dhe prandaj nëse 1/3 është në këtë funksion atëherë s’mund t’i japim karakter tjetër këtij buxheti, përpos për t’i thënë që ky buxhet është i karakterit elektoral”, u shpreh ai.

Ai tha se rritja e buxhetit me 6 përqind nuk sjell përmirësime në fushën e drejtësisë.

Ndërsa ministri i Financave, Bedri Hamza u shpreh se këto mjete e bëjnë impaktin e vet në zhvillim ekonomik, qofshin në konsum ose investime.

“A dalin këto pare në konsum, a dalin në investime, kudo që të dalin e bëjnë impaktin e vet në zhvillim ekonomik. Ka dallim nëse investimet janë më të mëdha flasim për investime ekonomike më të qëndrueshme, ndërsa nëse janë konsum rritja ekonomike vjen më shpejt, por për qëndrueshmërinë mund të bisedojmë. Është total e paqëndrueshme, rritja e buxhetit nuk ka ndikim në rritjen ekonomike. E dëgjova me vëmendje diskutimin e juaj”, tha Hamza.

Ndërsa këtu pati replikë nga Selmani, i cili u ndal posaçërisht tek mjedisi.

“Mos harroni, një organizate joqeveritare ‘Ta pastrojmë Kosovën’, të cilën e kanë moto qe disa vite, ia keni vendosur 1 milionë e 200 mijë euro. Mënyra se si shpërndahen për OJQ-të paratë, ka kritere, ka rregullore, që është aprovuar nga z. Hoti kur ka qenë ministër… Dhe nëse kjo, 1 milion e 200 mijë për një organizatë për pastrim të Kosovës, nuk e kuptoj pse 1 milionë e 900 mijë e komunave për kontejnerë 900 mijë në tërësi, këtu është paradoksi i madh”, tha Selmanaj.

Ndërsa ministri Hamza, u shpreh se komunat duhet të ndajnë edhe vet buxhet për çështje të ambientit.

“Komunat kurrkush nuk i ndalon me nda pak mjete më shumë prej buxheteve të veta. Edhe ata kanë obligim me e bë një prioritizim të prioriteteve të tyre”, u shpreh Hamza.