Selmanaj: Si duket na ka ra në ‘hise’ ta emancipojmë edhe VV-në

Selmanaj: Partneri ynë i mundshëm është akoma në nivel të diskursit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, në emisionin debatues “Click” të RTV21, ka thënë se gjërat që kanë ndodhur që nga data 26 dhjetor e tutje, me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, por edhe dje me propozimin e emrave për ministra janë qasje krejtësisht të njëanshme, pa asnjë konsultë paraprake dhe pa asnjë dakordim paraprak.

“Si duket na ka ra në ‘hise’ ta emancipojmë edhe Lëvizjen Vetëvendosje që nuk duhet që partnerin e mundshëm ta trajtosh kështu siç na trajtojnë, qoftë me diskursin e tyre publik, qoftë edhe me veprime të njëanshme. Këto gjëra që kanë ndodhë që nga data 26 dhjetorit e tutje, me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, por edhe dje me propozimin e emrave për ministra janë qasje krejtësisht të njëanshme pa asnjë konsultë paraprake, pa asnjë dakordim paraprak dhe më pas sikur sillen sikur asgjë nuk ka ndodhur dhe ja tash e tutje do te vazhdojmë kështu”, ka thënë Selmanaj.

Selmanaj tutje ka thënë se i kanë zhgënjyer njerëzit të cilët kanë pasur pritje të jashtëzakonshme që koalicioni VV-LDK të ndodhë.

“Ajo çka është më e rëndësishme dhe për neve është shqetësimi themelor është që i kemi zhgënjyer njerëzit të cilët kanë pasur pritje të jashtëzakonshme që ky koalicion të ndodhë, ne vazhdojmë akoma të ju themi që mbane këtë shpresë sepse përkushtimi ynë është që kjo të ndodhë, por si duket partneri ynë i mundshëm është akoma në nivel të diskursit, por jo në nivel të operacionalizimit të asaj çfarë në fakt kemi pas që nga parazgjedhjet”, ka thënë Selmanaj.

Ka përfunduar pa marrëveshje takimi i sotëm midis kryetarit të Vetëvendosjes Albin Kurti dhe atij të LDK-së Isa Mustafa. Ndërsa, takimi i radhës pritet të mbahet nesër në orën 14:00./21Media

 

 

 

Back to top button