Senati cakton rregullat për gjykimin e Trumpit pas 13 orë diskutimesh

Vazhdon gjykimi kundër Trumpit

Senati ka vendosur rregullat bazë për gjykimin e presidentit Donald Trump, pas 13 orësh debati të ashpër. Gjyqi do të vazhdojë sot me deklarimet nga prokurori dhe mbrojtja.

Secilës anë, prokurorit dhe mbrojtjes do t’i takojnë deri në 24 orë brenda tre ditëve të ardhshme që të shpërfaqin argumentet e tyre.

Argumentet hapëse do të mbahen sonte në mbrëmje sipas kohës lokale në SHBA.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se i takon Senatit të vendosë se si do të zhvillohet gjyqi kundër tij.

Megjithatë ai tha se do të preferonte një gjykim të gjatë – me dëshmitarë – por që ekzistojnë disa çështje të sigurisë kombëtare.

Trump që gjendet në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës ka hedhur poshtë edhe një herë akuzat duke deklaruar se janë një mashtrim.

Në Senatin amerikan ka filluar procesi gjyqësor ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, të cilin Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët, e akuzoi për abuzim me pushtetin dhe pengim të punës së Kongresit.

Senatin e udhëheqin republikanët.

Të dyja partitë kanë pasur mosmarrëveshje lidhur me procedurat që duhet ndjekur gjatë gjykimit të presidentit.

Demokratët kanë kërkuar që në sallë të paraqiten edhe dëshmitarë përderisa republikanët kanë kundërshtuar.

Trump akuzohet se ka pezulluar ndihmën ushtarake në vlerë të 400 milionë dollarëve për Ukrainën, dhe ftesën për vizitë në Shtëpinë e Bardhë për presidentin e ri ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, duke i kërkuar Kievit që të nisë hetime kundër rivalit të tij politik, demokratit, Joe Biden.

Presidenti Trump i ka mohuar akuzat./21Media

Back to top button