Analizë e gazetës “Neue Zurcher Zeitung”

Analizë e gazetës “Neue Zurcher Zeitung”

Gazeta zvicerane, Neue Zurcher Zeitung, ka publikuar një analizë, në të cilën u nënvizua se serbët nuk po kanë vullnet që të përballen me të kaluarën e tyre.

Autori i tekstit, gazetari Andreas Ernst, në fillim të artikullit vuri në pah hidhërimin e madh që shkaktoi shkrimtarja gjermane, Herta Miller, e cila gjatë vizitës së saj në Beograd tha se bombardimi i Serbisë nga ana e NATO-s në vitin 1999 i drejtë dhe se serbët duhet të jetojnë me të vërtetën se i kanë shkaktuar vuajtje vetvetes.

“Për këtë deklaratë mund të diskutohet dhe atë jo vetëm në Serbi. Nuk ka pas kritik, i cili nuk ka përmendur faktin se i ati i Millerit ka qenë në njësitë Es Es. Miller në Beograd deklaroi se ajo nuk është i ati i saj, por se ka ndier gjithmonë nevojën për të kërkuar falje. Një kritikuese e Millerit u mbështet në këtë deklaratë, duke thënë se as ajo nuk është Millosheviqi dhe se nuk dëshiron të vuaj për shkak të tij.

Me këtë u prek edhe pika qendrore e problemit të serbëve për tu përballur me të kaluarën: mungon bërja e dallimit mes fajësisë kolektive dhe përgjegjësisë kolektive”, shkroi Ernst.

Në analizë më tutje u theksua se proceset në Tribunalin e Hagës kanë qenë një mundësi, për të bërë diferencimin, por u nënvizua se Serbia nuk e ka shfrytëzuar rastin për ta bërë këtë.

Ernst me këtë rast përmendi edhe vizitën lamtumirëse të Kryetarit të Tribunalit në Beograd, kur kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ju ankua atij se Tribunali nuk i ka kontribuar pajtimit dhe se në mënyrë të njëanshme ka fajësuar Serbinë. Presidenti i Tribunalit ju përgjigj shkurt se Tribunali nuk është kompetent për pajtim, por se këtë duhet ta bëjnë vetë shtetet.

Të gjithë merren me krimet e të tjerëve, e jo krimet e veta. Elita politike po e shfrytëzon këtë si një teknikë të dëshmuar të pushtetit. Alternativë për këtë gjendje mund të ofroi vetëm një shoqëri e fuqishme civile, e cila tejkalon kufijtë. E kjo shoqëri nuk po duket në horizont”, konstaton Ernst./21Media