Serbët optimistë që do t’i vizitojë Hahn, marrin mbështetje nga Apostolova

Apostolova u shpreh se mesazhi i Hahn për Kosovën është i qartë se kjo taksë po e dëmton Kosovën

Deputetët e Listës Serbe që nga mbrëmë janë duke qëndruar të mbyllur në hapësirat e grupit të tyre parlamentar në Kuvendin e Kosovës. Ata janë të vendosur që të qëndrojnë të “ngujuar” derisa të takohen me Komisionarin Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn.

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq tha për KP se e kanë marrë konfirmimin nga zyra e BE-së se kanë pranuar kërkesën e tyre për takim me komisionarin evropian, por që ende nuk e dinë se a do takohem me të apo jo. Simiq tha se përmes këtij takimit duan t’i tregojnë Evropës se sa e dëmshme është taksa 100 përqind ndaj produkteve serbe.

“Ne kemi hyrë në këtë protestë vetëm me një kërkesë, që Johannes Hahn të vijë dhe shkurt të njoftohet me rreziqet që mund të pasojë për shkak të vendimeve të Qeverisë që ia ndalon hyrjen mallrat nga Serbia të hyjnë në Kosovë. Deri tani e kemi konfirmimin nga kabineti i tij se kërkesa tonë e kanë pranuar por ende nuk kemi konfirmim se ai do të vijë të takohet me ne. Kemi kontakte me zyrën e BE-së këtu në Prishtinë dhe edhe atyre u kemi thënë se kërkesa jonë është që të takohemi me Hahnin. Ende e presim konfirmimin. Derisa Johannes Hahn të vijë dhe të takohet me deputetët e Listës Serbe ne do të jemi këtu në vendin tonë të punës ku po luftojmë për të drejtat e popullit tonë. Dëshirojmë që BE-së t’i tregojmë se vendimi i Qeverisë së Kosovës nuk i sjell asgjë të mirë askujt në Kosovë, as serbëve as shqiptarëve e as askujt tjetër”, tha Simiq.

Simiq u ankua se askush nga zyrtarët e institucioneve të Kosovës nuk i ka takuar ata, si dhe nuk kanë gjetur përkrahje nga deputetët shqiptarë.

“Jo askush nga zyrtarë të institucioneve të Kosovës nuk ka ardhur të takohet me neve. Ne kemi kërkuar takim me Hahnin, por Qeveria me marrjen e vendimit për rritje të taksës e ka dhënë qëndrimin e vet. Kemi pritur që këtë protestë ta mbështesim edhe deputetët shqiptarë sepse çmimet e larta të prodhimeve dhe pakësimi i ushqimit do të ndikojë tek të gjithë, por megjithatë ky është vendimi i tyre”, tha Simiq.

Gjatë ditës deputetët e Listës Serbe janë vizituar nga shefja e zyrës së BE-së, Natalya Apostolova. Ajo pas takimit tha se sot i ka dëgjuar nga afër shqetësimet e deputetëve serbë. Apostolova ndonëse nuk  e ka përjashtuar mundësinë e takimit të deputetëve serbë me komisionarin Hahn,  shtoi se agjenda e tij është mjaft e ngjeshur.

“Fatkeqësisht kemi një agjendë shumë të ngjeshur për komisionarin Hahn i cili po vjen për ndërmjetësimin në mes Prishtinës dhe Beogradit. Në mënyrë që ta ndihmojë në këtë proces, unë sapo takova Listën Serbe, ku u shpjegova se cilat janë përgjegjësitë e programit dhe të diskutojmë hapur dhe drejt se cilat janë shqetësimet e tyre dhe çfarë është e nevojshme të bëhet në këtë drejtim. Shpresoj shumë që ata e kanë kuptuar mesazhin, mesazhet janë të qarta nga ne, nga kabineti i komisionarit, dhe nga vet komisionari dhe po ashtu ata mund të kenë mundësinë që t’i shprehin shqetësimet e tyre, dhe nëse jo, ata mund t’i paraqesin në letër dhe të gjejnë mënyrën e duhur se si ta takojnë atë dhe ti shprehin shqetësimet e tyre  atij personalisht”, deklaroi Apostolova.

E pyetur nëse komisionari Hahn do të luajë rol në përfundimin e protestës nga ana e Listës Serbe, ajo tha se për këtë ende nuk mund të flasë. Apostolova u shpreh se mesazhi i komisionarit evropian në Kosovë është i qartë se kjo taksë po e dëmton Kosovën dhe se Kosova me këtë vendim po i thyen ligjet ndërkombëtare.

“Mendoj se mesazhi i komisionarit  do të jetë  i një linje me të gjitha kryeqytetet evropiane të cilat shprehin shqetësimin e tyre dhe përfaqësueseve të tyre në lidhje me taksën. Kjo taksë është duke e dëmtuar Kosovën në momentin që është edhe kryesuese e CEFTA-s, pasi që është duke i thyer ligjet. Mendoj se komisionari ka marrë një hap kurajoz dhe të rëndësishëm me vizitën e tij në mënyrë që të ndihmojë në procesin e gjetjes së një zgjidhje në mes Prishtinës dhe Beogradit”, u shpreh shefja e BE-së.

Ndryshe, deputetët e Listës Serbe që nga mbrëmë janë duke protestuar  në Kuvendin e Kosovës si kundërshtim ndaj taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Back to top button