Sërish përplasje në Komisionin për Arsim

3 min read

Është java e katërt që kur në sektorin publik ka nisur greva e përgjithshme dhe përkundër ndërmjetësimit të presidentes së vendit, Vjosa Osmani por dhe avokatit të popullit rrugëdalje për ndërprerjen e grevës dhe fillimit e procesit mësimor ende nuk është gjetur. Qytetarët kanë mendime të ndryshme rreth grevës dhe mos gjetjes së një zgjidhjeje.

Mbledhja, që u shndërrua në përplasje ndërmjet pozitës e opozitës, u tha të jetë thirrur për gjetjen e një zgjidhjeje për përfundimin e grevës dhe fillimin e procesit mësimor por ministri i Financave, Hekuran Murati, nxiti debatin kur kërkoi të dijë nëse Ymer Ymeri nga këshilli grevist ka afërsi me ndonjë parti.

“Kisha disa pyetje për disa anëtarët sepse është raportuar se është i afërt me disa parti politike”, ka thënë ai.

Reaguan deputetët anëtar të komisionit si dhe nënkryetarja, Albena Reshitaj e cila ndërpreu fjalën ministrit duke i kërkuar që të arsyetojë implikimet buxhetore për të arritur një marrëveshje me SBASHK-un.

“Kërkoj të dijë pse nuk ka mjete buxhetore për të realizuar kërkesën e sindikatës…”, ka thënë ajo.

Kryetari i komisionit, Ardian Gola ndërkaq kërkoi sic tha përmbajtje nga ana e pjesëmarrësve në komision.

Por ministri Murati akuzoi SBASHK-un se po i ndryshon kërkesat gjatë rrugës.

“… smund të merremi vesh me dikën që i ndërron kërkesat rrugës, më të tjera kërkesa keni fillu, tjera i keni tash…”, ka thënë ai.

Ministrit Murati iu kundërpërgjigj Ymer Ymeri nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit. Tha se mënyra se si po diskuton ministri i Murati, tregon se ai nuk është nuk i interesuar për të arritur marrëveshje për të dalë nga greva.

“Po duhet me thirr Muratin në mbledhje të anëtarësisë që e mbajmë çdo natë. Ju hala pa dalë me ofertën prej 50 euro, ne e kemi pyetur anëtarësinë. Ki qëllim mos me arrit marrëveshje. Lexoje drejt kërkesën për sigurimet shëndetësore. Qysh po diskuton ministër, nuk je për me arrit marrëveshje”, ka thënë Ymeri.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se me grevistët janë pajtuar pothuajse për të gjitha kërkesat, përveç asaj për 100 euro. Tha se, ka tension në shkolla.

Kryetari i Komisionit, Ardian Gola, dha një propozim për Sindikatën që t’i përdorin notat si protestë sindikale, që fëmijët të kthehen në shkolla, deri në gjetjen e një zgjidhjeje ndërmjet Qeverisë dhe BSPK-së.

Por ndërkohë, një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, e ka lëshuar mbledhjen e Komisionit për Arsim pas fjalosjes me kryetarin e komisionit, po ashtu deputet i VV’së, Ardian Gola, për shkak se nuk iu dha fjala për të ofruar mendimet e tij për daljen nga situata./21Media