Sulmuesi portugez nuk ka bindur drejtuesit e Sevillas për ta blerë

Sulmuesi portugez nuk ka bindur drejtuesit e Sevillas për ta blerë

Pasi e nisi sezonin në mënyrë fantastike Andre Silva, i cili është i huazuar nga Milani te skuadra e Sevillas, gjërat kanë nisur të shkojnë keq për portugezin. Sulmuesi arriti të shënojë disa gola, duke u shndërruar në një lider për andaluzianët, ndërsa blerja përfundimtare e tij dukej më se e sigurt.

Megjithatë pas muajit shtator, nisi kriza e lojtarit që vazhdon edhe në vitin 2019, kur portugezi ka shënuar vetëm një gol, duke bërë që drejtuesit andaluzianë të ndryshojnë tërësisht mendim.

Kështu klubi i Sevillas ka njoftuar kuqezinjtë se nuk do të ushtrojnë të drejtën e blerjes për 38 milionë euro, të Silvas dhe në verë do ta kthejnë sërish në Milano.

Ky është një lajm i keq për kuqezinjtë, që kishin planifikuar që me ato 38 milionë euro, të blejnë mesfushorin Bakayoko nga Chelsea, kurse tani ata duhet të mendojnë se ku të gjejnë një ekip për ta shitur sulmuesin, që me Milanin nuk ka bërë pothuajse asgjë.