Në Drenas u ngritën emblemat e UÇK-së, krenarisë së kombit shqiptar

Në Drenas u ngritën emblemat e UÇK-së, krenarisë së kombit shqiptar

Sot më rastin e 28 nëntorit janë përuruar shtatoret e heronjve Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari në sheshin “Fehmi Lladrovci” në Drenas.

Në këtë ceremoni përurimi të shtatoreve të tri figurave emblematike, të pranishëm ishin presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi,  kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj politikani nga Maqedonia e Veriut, Ali Ahmeti.

Thaçi ka thënë se në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, ditën e festës së Flamurit Kombëtar, të ditëlindjes së komandantit legjendar Adem Jashari, të daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është sublimuar gjithë angazhimi ynë për çlirim të vendit.

“Sot, sheshi Fehmi e Xhevë Lladrovci po madhështohet edhe me përurimin e shtatores së Shaban Jasharit, Hamëz Jasharit dhe Adem Jasharit. Sot, po fuqizohet e po madhështohet ky shesh i figurave të bashkëluftëtarëve tanë, Ilazit, Rasimit, Bedrisë”, ka thënë ai.

Kreu i vendit ka theksuar se sot ky shesh po madhështohet dhe po e dërgon mesazhin e vendosjes së emblemave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe mesazhit të bashkimit kombëtar të figurave të bacës Shaban, Hamzës dhe Ademit.

“Në këtë shesh po vendosen emblemat e UÇK-së, identitetit dhe krenarisë së kombit shqiptar. Po vendosen shtatoret e kujtesës së krenarisë së kombit, por para së gjithash, edhe e mesazhit për të ardhmen e sigurt të shtetit të Kosovës dhe kombit shqiptar”, ka thënë presidenti.

 

Ndërsa, kryeministri i Kosovës në detyrë, Ramush Haradinaj ka thënë se rezistenca dhe lufta e tyre i ka lidhur përjetësisht shqiptarët.

“Drenasi përjetësoi sot në bronz tre figurat emblematike të historisë sonë të re, heronjtë e kombit Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari. Falë luftës dhe heroizmit të tyre, ne sot, e kemi ngritë në këmbë Republikën e Kosovës, si e arritura më kulmore e patriotizmit shqiptar, pas Pavarësisë së Shqipërisë, duke i dhënë kuptim të ri praktik dhe vlerë të shtuar, trajektores së interesave madhore shqiptare! Rezistenca dhe lufta e tyre na kanë lidhur përjetësisht ne shqiptarëve. U kujtofshin përherë!”, ka thënë Haradinaj./21Media