Shala e rithekson se taksa do të mbetet në fuqi

“Qeveria e Republikës së Kosovës është sovrane, e pavarur, vendimet i merr vet, taksa do të vazhdojë të jetë në fuqi”

Para përfaqësuesve të Bankës Botërore në Kosovë, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala tha se do të mbetet në fuqi taksa prej 100 përqind e vendosur nga Kosova për produktet e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Shala deklaroi kështu gjatë konferencës për media të mbajtur lidhur fillimin e zbatimit të projektit të financuar nga Banka Botërore-CERP, që ndihmon bizneset të eksportojnë në tregjet e huaja.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është sovrane, e pavarur, vendimet i merr vet, taksa do të vazhdojë të jetë në fuqi. Prej momentit kur Kosova, është anëtarësuar sekretari i CEFTA-s i ka të gjitha ankesat që i ka dorëzuar Ministria e Tregtisë sa i përket barrierave me të cilat janë ballafaquar tregu i Kosovës, tregtarët, bizneset e Kosovës në raport me shtetet anëtare apo nënshkruese të CEFTA-s”, tha Shala.

Ministri e sheh mundësi reale që projekti t’u ndihmojë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në aftësitë eksportuese, që të  jenë më të konkurrueshëm në tregun rajonal. Ai theksoi se komponentët dhe aktivitetet e këtij projekti për periudhën 5 vjeçare, do të përqendrohen konkretisht në fusha ku ambienti afarist në Kosovë ka nevojë për përmirësim dhe avancim.

“Ky projekt i ka brenda vetes tri komponente, rritja e aftësive dhe e mundësive të ndërmarrjeve tona për eksport, përmirësimi i infrastrukturës së cilësisë së prodhimeve të ndërmarrjeve tona të Kosovës, ky projekt e krijon infrastrukturën kombëtare të cilësisë dhe reformimi i sistemeve të inspekcionit. Te komponenta e parë ky projekt parasheh implementimin e skemës së granteve, duke i përkrahur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të Kosovës me certifikimin e produkteve të tyre, shërbimeve të tyre e me këtë t’i përmbushin kërkesat e tregut. Sa i përket komponentës tjetër që është reformimi i sistemeve të inspekcioneve përmes këtij projekti MTI-ja është e interesuar që të fokusohet që t’i eliminojmë të gjitha barrierat administrative të cilat i kanë bizneset tona dhe t’i përmirësojmë shërbimet gjatë kryerjes së inspektimeve. Dua të ri konfirmoj vullnetin tim, të Ministrisë së Tregtisë , të Qeverisë së Kosovës në implementimin e këtij projekti të Bankës Botërore, i cili projekt do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e ambientit afarist në Kosovë”, tha Shala.

Ai tha se aktualisht  bizneset eksportuese nuk mund t’i përdorin raportet e testimit nga laboratorët e brendshëm apo certifikatat nga organizmat e brendshëm certifikuese të produkteve kur ata i eksportojnë prodhimet e tyre.

Drejtori për Financa dhe Konkurueshmëri në Bankën Botërore, Mario Guadamillas, i cili po viziton Kosovën për herë të parë, u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse që të vazhdojnë dinamikën e zbatimit të këtij projekti.

“Kosova ka bërë një progres të madh në reformat e të bërit biznes, Kosova në rangimin e të bërit biznes është përmirësuar nga renditja 117 në vitin 2012 në pozitën 44 në raportin e fundit. Është me rëndësi që të mbahet ky hap i reformave dhe kjo demonstron përkushtimin e lartë të Kosovës për t’u dërguar sinjale pozitive investitorëve potencial, më mënyrë që të kemi përmirësime të mëtutjeshme, ka nevojë që të ketë reforma të mëtutjeshme. Një prej çështjeve kryesore ka të bëjë më inspektimin e bizneseve, Kosova ka lloje të ndryshme të inspeksioneve që e japin një kontroll mjaft të lartë të bizneseve, dhe ne po e mbështesim këtë agjendë përmes dy projekteve të Bankës Botërore, i pari është projekti këshillëdhënës për klimën e investimeve, dhe i dyti është projekti për konkurrueshmëri dhe për gatishmëri për eksporte që po e prezantojmë sot”, tha ai.

Ai përmendi se eksportet janë duke u penguar për shkak të certifikatës së cilësisë për shkak të mungesës së njohjeve të këtyre dokumenteve, duke shtuar se projekti ka për qëllim që të fuqizojë aftësinë e Kosovës për të promovuar bizneset.

Qeveria e Kosovës nga 21 nëntori i këtij viti ka miratuar vendimin për ngritjen e taksës në 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe BeH. Ky vendim ka ngjallur shumë reagime edhe nga bashkësia ndërkombëtare, ndërkohë serbët në veri të Mitrovicës kanë protestuar disa herë kundër kësaj takse.

Back to top button