Shala paralajmëron masa reciprociteti ndaj Maqedonisë së Veriut

Shala paralajmëron masa reciprociteti ndaj Maqedonisë së Veriut

Ministri në largim i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, njoftoi se i ka dërguar letër ministrit të Ekonomisë të Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshit, të cilit i ka kërkuar të largohen barrierat të cilat i ka vendosur ky shtet ndaj produkteve kosovare, saktësisht për rasadin e peshkut.

Shala i ka kujtuar shtetit fqinjë obligimet që rrjedhin nga marrëveshja e CEFTA-s, ndërsa kërcënoi me masa reciprociteti për të gjitha prodhimet e Maqedonisë së Veriut që eksportohen në Kosovë.

Me lejoni të theksoj rëndësinë e të bërit tregti pa barriera në mes të dy vendeve tona dhe obligimet që të dyja vendet kanë ndërmarrë në kuadër të marrëveshjes së CEFTA-s. Këto shkelje nga Maqedonia e Veriut për angazhimet e saj në CEFTA përbëjnë një shqetësim të madh për Qeverinë time dhe ju ftoj që të gjeni një zgjidhje për këtë çështje sa më shpejtë të jetë e mundur. Jemi në pritje nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut që do t’i heqin këto barriera tregtare në të kundërtën do të jemi të detyruar të reagojmë, ku si reagim do të jetë trajtimi i njëjtë i produkteve të Maqedonisë së Veriut që hyjnë në tregun e Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e Shalës dërguar Bekteshit.

Ministri kosovar tha se ky shqetësim fillimisht është ngritur në nivel teknik nga zyrtarët përgjegjës dhe çështja është adresuar te Komiteti Nacional për Lehtësimin e Tregtisë së Maqedonisë së Veriut, pastaj në takimin e Pikave të Kontaktit të CEFTA-s në Vlorë, në data-bazën e CEFTA-s për raportim të barrierave tregtare dhe e në fund është tentuar të gjendet një zgjidhje edhe përmes komunikimit të drejtpërdrejtë mes zyrtarëve të të dyja vendeve, por të gjitha këto pa sukses.

Përmes një vendimi që hyri në fuqi më 1 qershor të këtij viti, Maqedonia e Veriut ndaloi importin e peshkut të gjallë që dedikohet për rritje ose mbushjen e hurdhave me peshq të vegjël me prejardhje nga Kosova.

Për më tepër është vendosur edhe një taksë prej afër 700 euro për çdo hyrje të kamionëve të peshkut në Maqedoninë e Veriut.

Ndryshe, Klubi i Prodhuesve javë më parë kërkoi të dijë arsyet pse u ndalua importi i peshkut. Ata thanë se ky vendim i dëmton drejtpërsëdrejti bizneset vendore të cilat merren me kultivimin e peshkut, pasi që Maqedonia Veriore ka qenë një ndër tregjet më të rëndësishme për shitjen e peshkut të gjallë nga prodhuesit e Kosovës./21Media