Shala: Nuk ka arsye për rritje të çmimit të bukës në Kosovë

Ai tha se Republika e Kosovës mbulon 80 përqind nevojat e saj me grurë

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, gjatë raportimit të sotëm para Komisionit për Zhvillim Ekonomik tha se nuk ka arsye për rritje të çmimit të bukës në Kosovë.

”Në të dhënat që i kemi, Republika e Kosovës mbulon 80 për qind nevojat e saj me grurë, sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë”, tha ai.

Ministri Shala tha se përgjegjësinë për kontrollimin për mundësitë për ngritje, siç e quajti ai, jo të ligjshme të çmimit të miellit e të bukës e ka Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

“Kam kërkuar nga ky autoritet që në bazë të mandatit që kanë, të analizojë këto raste”, tha Shala para deputetëve.

Ndërkaq anëtari i Komisionit, Muharrem Nitaj (AAK) tha se sipas logjikës, buka do të duhej të shtrenjtohej për 3 cent, duke e krahasuar me taksën e vënë për grurë.

Ndërkaq anëtarja e Komisionit, Hykmete Bajrami (LDK), tha se shtrenjtimi i çmimit të bukës ka ardhur për shkak të taksës që ka ardhur edhe në grurë.

Kurse Memli Kransiqi (PDK), theksoi se nuk ka arsye të rritet çmimi i bukës për shkak të taksës 10 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja.

“Tregtarët që po e keqpërdorin këtë vendim duhet të disiplinohen në kuptimin legal. Është  e rëndësishme që të ndërmerrni kontroll dhe të mos lejoni deformim të tregut dhe të çmimeve”, tha Krasniqi.

Anëtari i Komisionit, Dardan Sejdiu (PSD) tha se si deputet i ka bërë shkresë kryetarit të Autoritetit të Konkurrencës Valon Pestreshit që të jap informacione nëse kanë nisur hetimet për rritjen e çmimit të bukës.

“Kjo ka qenë marrëveshje e furrtarëve dhe është keqpërdorim i një rrethane dhe stimulon formimin e gupeve jo formale për të diktuar çmime në treg”, tha Sejdiu./kallxo

Back to top button