SHBA dërgojnë 4 mijë trupa shtesë në Afganistan

Departamenti amerikan i Mbrojtjes pritet të dërgojë 4 mijë trupa shtesë në Afganistan në fillim të javës së ardhshme

Lajmin e ka bërë të ditur një burim zyrtar për “Associated Press”, pak pasi presidenti Donald Trump i dha sekretarit James Mattis autoritetin për të përcaktuar numrin e trupave për të çuar në vendin e përçarë nga lufta.

Dërgimi i njësive të reja e çon numrin e trupave amerikane në Afganistan në mbi 14 mijë. Gjithashtu, ky vendim përbën vendosjen më të madhe ushtarake amerikane të presidentit Trump, që kur ai mori detyrën në janar.

Sipas “Associated Press”, shumica e trupave të reja do të kryejnë detyra “këshillimi dhe asistimi”, ndërsa një pjesë e vogël e tyre do të kryejnë operacione anti-terror kundër talebanëve dhe ISIS.

Lajmi vjen në një moment jetik për Pentagonin dhe planet e tij për t’i dhënë fundsi luftës 16-vjeçare. Më 14 qershor, pak orë para se Trump të njoftonte dorëzimin e autoritetit tek Mattis, ky i fundit kishte prezantuar një përllogaritje në komisionin e forcave të armatosura në Senat.

“Aktualisht nuk jemi duke fituar në Afganistan dhe do të punojmë që ta ndryshojmë këtë situatë sa më shpejt të jetë e mundur”, kishte thënë Mattis.

Back to top button