Presidenti Thaçi ka mirëpritur emërimin e Grenell

Presidenti Thaçi ka mirëpritur emërimin e Grenell

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donlad Trump, ka zgjedhur ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, si të dërguar të administratës amerikane për dialogun Kosovë-Serbi.

Fillimisht lajmi është publikuar në mediat amerikane, ndërsa edhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, e konfirmoi përmes një postimi në Twitter.

Cufaj, duke e quajtur mik të tij ambasadorin Grenell, tha se ai do të bëjë një punë të shkëlqyer dhe se ka ardhur koha që Serbia të njohë Kosovën si shtet.

“Urime dhe shumë fat për Richard Grenell. Jam i sigurt se Ambasadori dhe miku im Richard Grenell do të bëj një punë të shkëlqyer. Ka ardhur koha që Serbia të njohë Kosovën dhe të arrihet një marrëveshje përfundimtare midis të dy vendeve që do të sjellë paqe dhe zhvillim në Ballkan”, ka shkruar Cufaj.


Emërimin e Richard Grenell, si të dërguar të administratës amerikanë për dialogun Kosovë-Serbi e ka mirëpritur edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Për kreun e shtetit ky emërim është një tjetër dëshmi që Trump dhe administrata amerikane qëndrojnë pranë Kosovës në çdo hap të rëndësishëm.

“Tash jemi edhe më konfident në procesin e dialogut dhe në mundësinë që të arrijmë njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, dhe kështu ta përmbyllim konsolidimin ndërkombëtar të shtetit tonë”, ka thënë Thaçi.

Ai shtoi se ky është lajm i mirë edhe për rajonin si dhe të gjithë ata që angazhohen për paqe të qëndrueshme, për zhvillim, për jetë më të mirë për të gjitha shtetet në Evropën Juglindore.

“E kemi thënë gjithmonë dhe besojmë gjithmonë se jemi me fat që kemi përkrah Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, përfundoi Thaçi.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbiasë ka ngecur qëkur Kosova ka vënë taksën 100% për prodhimet e importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar.

Grenell ishte zëdhënësi i SHBA-së në Kombet e Bashkuara, duke punuar nga viti 2001 deri në vitin 2008./21Media