SHBA-ja, apel për heqjen e taksës

“Ne fuqimisht nxisim për përqendrim të përtëritur në interesat thelbësore të Kosovës, të ardhmen e saj evropiane dhe marrëdhënien e normalizuar me Serbinë…”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) vazhdojnë të mos e ndërrojnë qëndrimin rreth taksës së vendosur ndaj produkteve serbe. Në një përgjigje dhënë “Zërit” nga Ambasada Amerikane në Prishtinë kanë thënë se SHBA-ja në vazhdimësi ka apeluar tek udhëheqësia kosovare që ta largojë tarifën e vendosur para dy muajve.

Të pyetur nëse SHBA-ja u ka dhënë ultimatum institucioneve të Kosovës për heqjen e taksës, nga Ambasada Amerikane në Prishtinë i kanë thënë gazetës se qëndrimi i SHBA-së mbetet i njëjtë, për pezullimin e taksës 100 për qind.

“Qëndrimi ynë lidhur me tarifat nuk ka ndryshuar. Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë apeluar në udhëheqësinë e Kosovës që t’i pezullojë tarifat në mallrat nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Siç kemi thënë më parë, ne nuk shohim se si përfiton Kosova nga këto masa”, potencohet në përgjigjen e Ambasadës dhënë “Zërit”.

Më tej thuhet se SHBA-ja nxit Kosovën për t’u përqendruar në interesat e saja thelbësore, që kanë të bëjnë me të ardhmen evropiane dhe me normalizimin e raporteve me Serbinë. “Ne fuqimisht nxisim për përqendrim të përtëritur në interesat thelbësore të Kosovës, të ardhmen e saj evropiane dhe marrëdhënien e normalizuar me Serbinë. Shpresojmë të shohim udhëheqësi të sigurt dhe të guximshme në të dyja anët e tavolinës, që nevojitet për të lëvizur përpara dhe për të dalë nga bllokada e tanishme”, theksohet më tutje në përgjigje.

Back to top button