"SHBA mbështesin veprimin e policisë së Kosovës në veri kundër krimit dhe korrupsionit"

“SHBA mbështesin veprimin e policisë së Kosovës në veri kundër krimit dhe korrupsionit”

Ambasadori i SHBA në OKB, Jonathan Palmer, tha se përvjetori i njëzetë i miratimit të Rezolutës 1244 është një shenjë se është koha për të ecur përpara.

Ai theksoi se SHBA mbështesin veprimin e policisë së Kosovës në veri kundër krimit dhe korrupsionit, ndërsa shprehu keqardhje se gjatë këtij aksioni ka pasur bllokada dhe të shtëna.

Në anën tjetër për aksionin në fjalë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka folur edhe ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku. e cila ka deklaruar se aksioni i Policisë së Kosovës më 28 maj në veri, ishte me qëllim të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Në përputhje me kërkesën e gjykatës dhe me udhëzimet e zyrës së prokurorit special, Policia e Kosovës ka kryer 19 arrestime, prej tyre 11 serbë, katër shqiptarë dhe katër boshnjakë. Policët janë suspenduar nga puna dhe Policia e Kosovës nuk është ballafaquar me rezistencë me përjashtim në Zubin Potok, ku u ballafaqua me të shtëna nga armët dhe post-blloqe të vendosura nga serbët. Me këtë rast, policia ka arrestuar shtatë civilë, në mesin e tyre edhe një diplomat i KB-së i nacionalitetit rus. Ky i fundit ka përdorur automjetin zyrtar të OKB-së për të vendosur barrikadën për të parandaluar policinë e Kosovës të kryejë detyrën e tyre. Ai ka përdorur automjetin për të transportuar një motor-sharrë, e cila është përdorur për të prerë drurët që janë hedhur në rrugë për të parandaluar kalimin e Policisë së Kosovës në Zubin Potok. Ai qëllimisht ka vendosur automjetin e tij para këtyre drunjve për të përfo rcuar barrikadat. Ai ka refuzuar të bashkëpunojë dhe ka mohuar të ofrojë dokumentet identifikuese. Në ditët në vijim atij i është refuzuar qëndrimi në Kosovë dhe ai është transportuar për në Beograd”, tha ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku.

Për më tepër, ajo ka bërë të ditur se të gjitha autoritetet relevante kanë qenë të njoftuara për operacionin në veri, ndërsa ka kërkuar hetime për veprimin e pjesëtarit të UNMIK-ut, i cili ka penguar Policinë e Kosovës të kryerje punën e saj.