Tensione mes SHBA dhe Kinës

Tensione mes SHBA dhe Kinës

SHBA ka thënë se do të imponojë kufizime të vizave për zyrtarët kinezë të akuzuar për përfshirje në shtypjen e popullsisë myslimane.

Vendimi erdhi pasi SHBA futi 28 organizata në listën e zezë të Amerikës me dyshimin se përkrahin abuzimin e minoritetit ujgur në provincën kineze të Shinxhiangut .

Sekretari i Shtetit Amerikan Mike Pompeo tha se qeveria kineze kishte krijuar një fushatë shumë shtypëse ndaj tyre si dhe  akuzoi qeverinë kineze për një seri abuzimesh ndaj pakicave etnike myslimane.

Akuzat përfshinë ndalime masive në kampe internimi, kontrolle të ashpra mbi pasqyrimin e identiteteve kulturore dhe fetare të tyre, burgosjen në masë dhe arbitrare, si edhe vëzhgimin me teknologji moderne të ujgurëve, kazakëve dhe pjesëtarëve të tjerë të grupeve minoritare myslimane.

Ndërkohë që Kina ka hedhur poshtë akuzat duke i quajtur të pabaza, shkruan oranews.tv

“Këto akuza nuk janë gjë tjetër veçse një justifikim për Shtetet e Bashkuara që të ndërhyjnë qëllimisht në punët e brendshme të Kinës“, tha të hënën zëdhënësi i ministrisë së jashtme, Geng Shuang.

Kufizimet e vizave do të vendosen për qeveritarët kinezë dhe zyrtarët e Partisë Komuniste, si dhe anëtarët e familjes së tyre.

SHBA dhe Kina aktualisht janë përfshirë në një luftë tregtare dhe kanë dërguar delegacione në Washington për një takim në lidhje me tensionet.