SHBA shpreh keqardhje për anulimin e bisedimeve

Pas vendimit të Rusisë që të anulojë takimin me zëvendës sekretarin e SHBA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur keqardhje për vendimin e Rusisë që të anulojë takimin me zëvendës sekretarin e Shtetit Thomas Shannon, por mbetet e hapur për bisedime të ardhshme me të cilat do të tejkaloheshin dallimet bilaterale, njoftoi sot Departamenti amerikan i Shtetit.

“Na vjen keq që Rusia ka vendosur që të heqë dorë nga rasti për të biseduar për pengesat bilaterale, të cilat pengojnë marrëdhëniet amerikane-ruse”, ka thënë zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert, transmeton Reuters.

Ndryshe, zëvendësministri i Jashtëm rus Sergej Ribjakov ka anuluar sot bisedimet me Shannon, pas vendosjes së sanksioneve të reja amerikane ndaj Moskës zyrtare.

Anulimi i takimit vjen pak kohë pasi që Moska zyrtare paralajmëroi hakmarrje ndaj Uashingtonit zyrtar për shkak të sanksioneve të reja.

Ribjakov tha se “situata nuk është e përshtatshme që ky lloj dialogu të mbahet” dhe dërgoi kritika në llogari të SHBA-ve pasi “nuk kishin ofruar asgjë konkrete” për të cilën do të mund të diskutohej, transmeton AP.

Administrata e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump njoftoi të martën se ka vendosur sanksione ndaj 38 individëve dhe firmave ruse për shkak të aktiviteteve në Ukrainë.

Zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin, Dmitrij Peskov tha sot se ky hap i SHBA-ve nuk ishte konstruktiv dhe shtoi se opsione të ndryshme janë duke u shqyrtuar në nivel ekspertësh.

Back to top button