SHBA goditje kundër Assadit

SHBA goditje kundër Assadit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë goditur me 59 raketa “Tomahawk” objekte të qeverisë siriane si kundërpërgjigje ndaj sulmit me armë kimike në Siri që la dhjetra të vrarë dhe qindra të plagosur.

Kjo është goditja e parë e drejtpërdrejtë që SHBA ndërmarrin kundër qeverisë së Assadit që nga fillimi i luftës civile në Siri gjashtë vjet më parë.

Raketat goditën bazën ajore Shayrat, nga e cila mendohet se u nisën avionët që ndërmorën sulmin me armë kimike.

Sulmi filloi në orën 04:40 të mëngjesit të së premtes, sipas orës siriane.

Zyrtarët konfirmojnë se në këtë ofensivë nuk është përfshirë akoma asnjë avion luftarak, por është goditur vetëm me raketa.

Nga resorti i tij luksoz “Mar-a-Lago”, presidenti Donald Trump konfirmoi urdhrin për të sulmuar mbi Siri dhe i bën thirrje të gjithë kombeve të civilizuara, të ndihmojnë për t’i dhënë fund konfliktit sirian.

“Sonte i bëj thirrje të gjithë kombeve të civilizuara, të na bashkohen neve, për të kërkuar t’i japim fund kësaj masakre e gjakderdhjeje në Siri dhe për t’i dhënë fund terrorizmit të të gjitha llojeve”, u shpreh Trump, menjëherë pas nisjes së ofensivës ajrore.

Gjithashtu, mësohet se presidenti Trump ka urdhëruar sulme masive ushtarake kundër Sirisë, në përgjigjë të përdorimit të armëve kimike, nga ana e regjimit të Assad-it.

Burime ushtarake siriane kanë konfirmuar se sulmi ajror amerikan ka sjellë humbje në radhët e tyre, ndërsa zyrtarët lokalë kanë konfirmuar se ka disa të vdekur, por ende nuk kemi një bilanc të parë të këtij sulmi.

Mësohet se SHBA-ja ka vënë në dijeni edhe Rusinë për nisjen e kësaj ofensive, ndërkohë që Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, hodhi edhe akuza ndaj tyre.

“Rusia ka dështuar në përgjegjësinë e saj për të menaxhuar situatën në Siri. Sulmi ynë ndaj Sirisë tregon vendosmërinë e presidentit Donald Trump për të ndërhyrë, kur vendet e kalojnë ‘vijën e kuqe”, tha Tillerson në një konferencë për shtyp, pak minuta pas ofensivës ajrore mbi Siri.

Për këtë ofensivë ka reaguar edhe televizioni kombëtar sirian, duke i cilësuar sulmet e SHBA-ve, si një akt agresioni.

Kjo lëvizje e SHBA-ve ishte paralajmëruar gjatë ditës së enjte, nga ana e presidentit Donald Trump, në bisedën me disa anëtarë të Kongresit.

“Kjo nuk duhet të ndodhte. Kjo nuk duhet lejuar të ndodhë”, u shpreh Trump, kur denoncoi atë që ai e quajti “krim skandaloz”, sulmin me armë kimike në Siri.

Ende nuk dihet nëse sulmi amerikan mbi Siri do të përshkallëzohet, apo Trump do të mjaftohet vetëm me dërgimin e këtij sinjali ndaj Assad-it.

http://rtv21.tv/shba-sulmon-raketa-sirine/
Facebook Comment