Përkundër situatës së krijuar nga Koronavirusi, punimet nuk ndalen

Përkundër situatës së krijuar nga Koronavirusi, punimet nuk ndalen

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, e ka shtuar intensitetin e ndërtimit të murit miliardësh në kufi me Meksikën, pavarësisht përhapjes së koronavirusit, nga i cili mund të vdesin mijëra amerikanë dhe që vendin mund ta fusë në recesion ekonomik.

Më herët gjatë kësaj jave, Agjencia për Dogana dhe Mbrojtje të Kufirit i bëri të ditura planet për ndërtimin e 240 kilometrave të murit të lartë nëntë metra përgjatë shteteve Arizona, Kaliforni dhe New Mexico.

Ky njoftim erdhi pak kohë pas shpalljes së gjendjes emergjente nga presidenti Trump. Ai po kritikohet për menaxhimin e situatës së koronavirusit, që duket se do t’i kushtojë shtetit miliarda dollarë.

Gati 27 mijë persona janë infektuar dhe gati 350 kanë vdekur nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara. Dhjetëra mijëra punëtorë të shkarkuar kanë aplikuar për beneficione të papunësisë për shkak të mbylljes së bizneseve.

Puna për ndërtimin e murit po vazhdon në ultësirën San Bernardino në pjesën juglindore të shtetit Arizona. Besohet se disa lloje të rrezikuara të gjallesave mund të preken nga ky projekt i qeverisë amerikane.

Ndërtimi i murit në kufi me Meksikën ka qenë në mesin e premtimeve kryesore të presidentit Trump gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016, ndonëse është kundërshtuar vazhdimisht nga Partia Demokratike./21Media