Shefi i UNMIK-ut kërkon hetim ndaj deklaratës së Haradinajt

Zahir Tanin ka thënë se gjuha e urrejtjes është e papranueshme

Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit të Kuvendit të Kosovës, Daut Haradinaj se në rast të ekstradimit të ish kryeministrit Ramush Haradinajt në Serbi, ky veprim do ta dërgonte vendin në luftë.

Në deklaratën e Zahir Tanin të bërë sot, duke mos u përmendur emri i deputetit Haradinaj, ai ka kërkuar hetim, siç ka thënë ndaj këtij incidenti dhe të marren masat e duhura në përputhje me ligjet e Kosovës

“Deklarata këtë fundjavë nga një parlamentar i lartë i Kosovës, duke përdorur gjuhën e urrejtjes dhe duke kërcënuar me spastrim etnik, është e papranueshme dhe arsye për shqetësim serioz. U bëj thirrje të gjithë liderëve përgjegjës për të dënuar këtë deklaratë dhe bej thirrje tek autoritetet gjyqësore për të kryer hetim të nevojshëm të këtij incidenti dhe të marren masat e duhura në përputhje me ligjet e Kosovës”, thuhet në deklaratën e Taninit.

“Munden me na fut në luftë, asgjë tjetër. Unë nuk e di për të tjerët, por unë e di për vete se në rast se gabojnë dhe bëjnë kësi veprime, atëherë të bëhen gati për tema më serioze. Nëse e duan Kosovën etnikisht pa serbë, atëherë le të bëjnë hajgare”, kishte thënë Daut Haradinaj para disa ditëve.

 

Back to top button