"Avdija ka marrë pikët maksimale, në të gjitha fazat e intervistimit"

“Avdija ka marrë pikët maksimale, në të gjitha fazat e intervistimit”

Bordi i Drejtorëve i ndërmarrjes publike, Posta e Kosovës zgjedhi sot kryeshefin ekzekutiv, Shefqet Avdija.

Përmes një komunikate për media, Posta e Kosovës bëri të ditur se në mbledhjen e mbajtur sot, Avdija u zgjodh unanimisht që në pozitën e kryeshefit ekzekutiv.

“Pas një procesi të rregullt, transparent dhe objektiv, në përputhje të plotë me Ligjin për Ndërmarrjet Publike si dhe me kriteret e konkursit, kandidati më i suksesshëm në garën për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv është Shefqet Avdija, i cili ka marrë pikët maksimale, në të gjitha fazat e intervistimit”, bëhet e ditur në komunikatë.

Po ashtu, u tregua edhe një pasqyrë e shkurtër e përgatitjes profesionale të drejtorit të ri të Postës së Kosovës, ku theksohet se ky i fundi ka përgatitje të lartë akademike.

“Është doktor shkence në fushën e Qeverisjes dhe Administrimit Publik, ndërkaq në fushën e Menaxhimit të Sektorit Publik ka gradën master. Për rreth shtatë vite ka qenë në pozitën e zëvendëskryeshefit ekzekutiv në Postën e Kosovës. Në këtë pozitë ai ka shënuar të arritura të mëdha në udhëheqjen dhe menaxhimin e projekteve më sfiduese dhe më të ndjeshme në këtë ndërmarrje publike. Në Postën e Kosovës, ai ka mbajtur edhe pozitën si UD kryeshef ekzekutiv”, bëhet e ditur më tutje në komunikatë.

Shefqet Avdija deri më tani ka qenë ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv në Postën e Kosovës.