Rama, Vuçiq dhe Zaev me deklaratë për lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve

Rama, Vuçiq dhe Zaev me deklaratë për lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve

Një ditë para se të merren vesh për të ashtuquajturin “Shengeni i vogël”, u takuan dhe shëtitën nëpër qytetin e Novi Sadit në Serbi. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev thonë se përmes dokumentit të “mini shengenit” përmbushen katër liritë themelore, shkëmbimin e mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve.

“Jam i bindur se bashkëpunimi ynë do të përafrohet dhe do të përmirësohet me ça do të kontribuojmë më shumë për qytetarët tanë. A mund ta paramendoni që të kemi një treg të punës. A mund ta mendoni se sa dobi do të kemi. (34:07) Një treg pune, më shumë konkurrencë, më lehtë deri tek zgjidhjet dhe nuk do të kemi kurrfarë problemesh. Ai që ka leje pune në Shkup ka edhe në Beograd. Ai që ka në Beograd ka edhe në Tiranë. Mendoj se ky është lajm fantastik që e kemi në plan ta realizojmë deri në vitin 2021”, potencoi Aleksandar Vuçiç, president i Serbisë.

Problemi me vonesat në përkthim për Edi Ramën janë tregues se ende duhet ndërmjetësim.

“Ende na duhet anglishtja në mes”, tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

“Kjo iniciativë përcjell edhe mesazhe serioze politike që mbi të gjitha tregojnë relaksim të marrëdhënieve pulitke në rajon që janë shumë domethënëse. Ballkani nuk është më fuçi baroti si në shekullin 19 , por është Ballkan i shekullit 21, rajon i paqes, stabilitetit, zhvillimit ekonomik, totalisht i orientuar në përshpejtim të euro integrimeve, por edhe përparim të cilësisë së jetesës së qytetarëve”, u shpreh kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Tre krerët shtetërorë flisnin pa problem deri sa bëhej fjalë për “shengenin e vogël” por jo edhe kur u pyetën se pse po mungojnë përfaqësues udhëheqësit e Malit të Zi, Bosnjës dhe Kosovës.

Në këtë rast askush nuk dëshironte të fliste i pari.

“Ju e dini që nga marrëveshja CEFTA ne nuk e kemi këtë problem por duam marrëdhënie më të zhvilluara dhe dëshirojmë që të mos kishte asnjë pengesë administrative dhe jemi të gatshëm për këtë dhe nuk kemi asnjë problem. Ajo që këto dy vende e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës dhe Metohisë, e Serbia jo, kjo është diçka tjetër”, theksoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Deklarata e përbashkët nënvizon natyrën gjithëpërfshirëse të kësaj iniciative. I vetmi ndryshim është që këtu nuk na ka mbledhur ndonjë kujdestar nga Brukseli apo nga vende mike dhe partnere jashtë nesh por na ka mbledhur këtu nevoja për të rritur ekonominë, nevoja për të ulur papunësinë, nevoja për të luftuar krimin e organizuar transacional, nevoja për të luftuar emigracionin e paligjshëm, nevoja për të përmirësuar kushtet e jetesës të të gjithë qytetarëve, nevoja për të rritur shpejtësinë e shkëmbimeve dhe për të garantuar në këtë rajon katër liritë themelore të munguara sot e gjithë ditën që janë bazë e Evropës së Bashkuar. Kjo na ka mbledhur këtu”, deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Arsyetimi i Zaevit ishte se në Kosovë po pritet formimi i qeverisë ndërsa Bosnja ende s’ka vendosur për qeverinë e saj. Ai shtoi se nga sot e tutje të gjitha këto vende i kanë dyert e hapura në “shengenin e vogël”.

Takimi i radhës pritet të mbahet në Ohër më 10 nëntor ku është paraparë të nënshkruhen disa marrëveshje bashkëpunimi./TV21